Studiuesi Evarist Beqiri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Iran, përfshirë raportimet mbi vrasjen e Ajatollahut Ali Khamenei dhe skenarët e mundshëm për pasardhësin e tij.

Beqiri u shpreh se aktualisht po përflitet për kalimin e pushtetit te një nip i Khameneit ose te një përfaqësues i linjës më të moderuar, figura që sipas tij nuk kanë pasur peshë të madhe nën lidershipin aktual të Iranit.

Sipas studiuesit, edhe presidenti aktual i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili në fillim perceptohej si më i moderuar, nuk po shfaq një qasje të tillë në këtë fazë, përkundrazi po shton retorikën kërcënuese.

“Sulmet besoj do të vijojnë për sa kohë të jetë e nevojshme”, theksoi Beqiri, duke shtuar se kjo fazë përbën përpjekjen e parë për të dobësuar mbrojtjen ajrore iraniane dhe për të hapur rrugën për zhvillime të reja politike dhe ushtarake në vend.

Ai nënvizoi se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se ndryshimet në majën e pushtetit iranian mund të sjellin pasoja të thella për balancat rajonale dhe për vetë të ardhmen e regjimit në Teheran.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb