Në emër të impaktit nga lufta në Lindjen e Mesme, abuzuesit kanë filluar të rrisin edhe çmimin e bukës. Kjo ka ndodhur në Korçë, ku nga një vëzhgim i kryer në furrat e bukës, rritja e çmimit të këtij produkti të rëndësishëm është vërejtur vetëm në një subjekt, ku buka po shitet me 150 lekë, nga 120 lekë që ishte më parë.
Drejtuesit e këtij subjekti, thanë se vendimi për rritjen e çmimit të bukës justifikohet me pretendimin se është rritur çmimi i miellit, por pas interesimit të Neës24 në pikat e tregtimit të miellit në Korçë, tregtarët kanë mohuar kategorikisht se kanë rritur çmimin e tij. Sipas tyre, çmimi i miellit ka mbetur i pandryshuar prej dy vitesh dhe aktualisht tregtohet me 52 lekë për kilogram.
Nga vëzhgimi në terren nuk rezulton që furrat e tjera të bukës në Korçë të kenë aplikuar rritje çmimi. Edhe nga pamjet e siguruara, çmimet në shumicën e furrave janë të pandryshuara. Rasti i rritjes së çmimit të bukës në një subjekt në Korçë, pa asnjë arsye të justifikuar nga kostot e prodhimit, tregon një praktikë të abuzimit të tregut. Abuzuesit, duke shfrytëzuar situata të pasigurta ekonomike si konflikti në Lindjen e Mesme, tentojnë të përfitojnë në dëm të konsumatorëve, duke rritur çmimet pa bazë reale. Ky fenomen krijon një precedent të rrezikshëm, pasi mund të inkurajojë dhe subjektet e tjera të ndjekin të njëjtin model, duke gjeneruar një valë rritjeje që rëndon më shumë konsumatorët dhe ndikon tregun.
