Rasti i rrëmbimit të një 28-vjeçari ukrainas që po kalonte pushimet në Bali ka marrë një kthesë tragjike, pasi testet e ADN-së konfirmuan se mbetjet e gjetura në një plazh i përkasin atij. Policia indoneziane bëri të ditur se mbetjet e gjetura i përkasin Igor Komarov, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga mesi i shkurtit. Identifikimi u konfirmua përmes analizave të ADN-së, edhe pse hetuesit kishin dyshuar më herët për identitetin e tij bazuar në tatuazhet e trupit. Mbetjet u zbuluan nga banorët vendas më 26 shkurt, të shpërndara përgjatë bregdetit dhe në grykëderdhjet e disa lumenjve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Krimit të Policisë së Balit, analiza mjeko-ligjore tregoi se njollat e gjakut të gjetura në një vilë dhe në një automjet përputhen me ADN-në e nënës së viktimës. Hetuesit besojnë se këto prova forcojnë dyshimet se Komarov u transportua me atë makinë dhe u mbajt në një vilë në zonën Tabanan, përpara se të vritej. 28-vjeçari ishte rrëmbyer më 15 shkurt në Jimbaran, një zonë turistike e frekuentuar shpesh nga vizitorë ukrainas dhe rusë.

Igor Komarov është djali i Alexander Petrovsky-t, një biznesmen nga qyteti ukrainas Dnipro, i cili sipas mediave lokale ka ndikim të madh në biznes dhe lidhje të nivelit të lartë politike, si edhe dyshime për lidhje me krimin e organizuar. Policia ka identifikuar lëvizjet e të dyshuarve përmes kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë një makinë dhe dy motoçikleta që lëviznin midis zonave Tabanan dhe Bandung. Deri tani është arrestuar një person, ndërsa gjashtë të huaj të tjerë dyshohen për përfshirje në rrëmbim. Autoritetet e Balit kanë kërkuar nga Interpol lëshimin e “njoftimeve të kuqe” për kërkim ndërkombëtar.

Sipas policisë, katër nga të dyshuarit janë larguar tashmë nga Bali, ndërsa dy të tjerë besohet se ndodhen ende në Indonezi. I arrestuari ka deklaruar se roli i tij i vetëm ishte marrja me qira e automjetit të përdorur në rrëmbim për 350 dollarë, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar. Komarov ndodhej në Bali me të dashurën e tij, Eva Misalova, një blogere me rreth 200 mijë ndjekës në Instagram. Hetuesit dyshojnë se një foto që ajo publikoi në Ditën e Shën Valentinit mund të ketë zbuluar vendndodhjen e tij për rrëmbyesit. Ndërkohë, në internet qarkulloi një video ku Komarov shfaqej i plagosur dhe i kërkonte të atit të paguante 10 milionë dollarë për lirimin e tij. Sipas pretendimeve të rrëmbyesve, paratë lidhen me një mashtrim financiar për të cilin ata akuzonin biznesmenin Petrovsky.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: