Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”, pas qëndrimeve të tij në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK pati kërkuar arrestimin.
E ftuar në emisionin Studio24, Lala u shpreh se reagimi i Ramës për përdorimin e masës së arrestit nga prokuroria erdhi vetëm kur çështja preku “paradhomën e tij”.
Ajo u shpreh se kryeministri ka kritikuar prokurorët për abuzim me masën e arrestit në të njëjtën kohë kur hetimi i SPAK-ut preku Ballukun.
“Ai u ngrit një ditë dhe tha se prokurorët abuzojnë me masën e arrestit pikërisht në momentin kur arresti shkoi në paradhomën e tij, te Belinda Balluku”, u shpreh Lala gjatë intervistës.
Gazetarja solli në vëmendje edhe raste të tjera, sipas saj, kur persona të ndryshëm janë ndjekur penalisht ose janë vendosur në arrest me burg për çështje shumë më të vogla.
Lala përmendi rastin e një gruaje që, sipas saj, u ndoq penalisht pasi kishte ndërtuar pa leje një kasolle për lopët, ndërsa shtoi se edhe zyrtarë të tjerë janë arrestuar për procedura tenderimi.
Sipas saj, Balluku dyshohet për 11 episode të shkeljes së barazisë në tendera, ndërsa theksoi se hetimet për këtë çështje ende nuk kanë përfunduar.
Gazetarja shtoi se mbetet për t’u parë nëse gjatë hetimeve mund të dalin akuza të tjera, si korrupsioni apo pastrimi i parave.
