Më shumë se një milion njerëz, përfshirë gati 350,000 fëmijë janë të zhvendosur në Liban për shkak të sulmeve të vazhdueshme. Mijëra familje janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe të gjejnë strehim në qendra, raporton UNICEF-i në Liban në një mesazh të publikuar në profilin e tij X.
“Mijëra familje dhe fëmijë po ikin nga shtëpitë e tyre nga frika dhe po kërkojnë strehim në qendra të mbipopulluara”, thuhet në mesazh.
Organizata po punon në terren për të ofruar kujdes shëndetësor, mbështetje psikosociale, ujë të pijshëm dhe ndihma emergjente.
Si pasojë e situatës së vështirë, UNICEF- bën apel për veprim të menjëhershëm.
“Fëmijët në Liban nuk mund të përballojnë vonesa të mëtejshme. Duhen veprime të menjëhershme për të ulur tensionet dhe për të parandaluar dëmet. Fëmijët duhet të mbrohen. Dhe kjo duhet të bëhet tani”, përfundon mesazhi.
