Në fazën e katërt, gara për titull dhe mbijetesë është ndezur në maksimumin duke e bërë të paparashikueshëm këtë fund sezoni, kjo edhe për shkak të skemës së re. Gjithashtu ky fund marsi është shumë i rëndësishëm për futbollin shqiptar, pasi Shqipëria për herë të parë synon pjesëmarrjen në Botëror. Ditën e sotme në Sport News i ftuar special, ishte ish futbollisti dhe specialisti i futbollit, Florian Riza:
Riza, çështja e fundit që bëri jo pak bujë ishte dënimi i Egnatias, 6 muaj pezullim për trajnerin Tetova, 5 ndeshje për Aleksin dhe 7 zyrtarë të dënuar, për tërheqje të ekipit nga fusha. Të duket i drejtë vendimi i Disiplinës?
Komisioni i Disiplinës vepron si komision autonom; ai është shkalla e parë e gjykimit. Vendimet e këtij komisioni mund të apelohen dhe të rishikohen. Këto komisione kanë vepruar për shumë vite me radhë, ndaj në të gjitha problematikat e futbollit shqiptar nuk besoj se ka mbetur një ekip apo lojtar që nuk ka shkelur rregulloren në një masë apo në një tjetër. Prandaj, e shoh në dy prizma: si masë për një veprim të kryer, por edhe si mundësi për të gjetur të drejtën në një fazë të dytë të gjykimit.
Më të drejtë tifozët pyesin, pse Egnatia dhe jo Tirana, (edhe Tirana është tërhequr nga fusha, madje jo njëherë)? Kjo ideja e tërheqjes së ekipit është kthyer disi në mode, pse kaq shumë pakënaqësi, apo dyshime për vendimet e arbitrave?
Unë mendoj që arbitrat janë një trup gjykues që përballojnë një aktivitet me shumë ngarkesë gjatë sezonit. E gjithë kjo garë prodhon incidente në një ndeshje futbolli, ndaj edhe arbitrat mund të gabojnë. Megjithatë, mendoj se gjyqtarët janë njerëz normalë, sikundër futbollistët; ata mund të gabojnë, është pjesë e kampionatit. Gjithmonë mund të ketë problematika. Menaxhimi sa më i mirë mund të jetë një vlerë e shtuar. Fakti që kemi arbitra ndërkombëtarë më shton besimin se e kemi rritur cilësinë, pavarësisht se nuk mund të shmanget gabimi, pasi nga ana njerëzore çdo gjë mund të ndodhë.
A mund të ndikojë ky dënim në garën për titull? Çfarë do të thotë një ekip 6 muaj pa trajner në stol? Pse kaq shume presion ketë sezon, jo vetëm te Egnatia, por në përgjithësi?
Ky është një projekt-vendim dhe nuk ka marrë formë përfundimtare. Gjashtë muaj janë ndoshta shumë. Nëse një ekip nuk e ka trajnerin në pankinë gjatë ndeshjes, sigurisht që vështirësohet mënyra e drejtimit të saj. Në stërvitje jo, pasi ai do të jetë pjesë e tyre. Gjithsesi, le të presim vendimin përfundimtar sa i takon trajnerit dhe pjesëtarëve të stafit të Egnatias.
Mendoni se këtë vit ka një impakt më pozitiv edhe skema e re e FINAL4? Kur sheh këtë sezon kaq të luftuar, duket sikur kemi humbur dy sezone kot
Nuk kemi të bëjmë me një skemë të re, por me disa ndryshime të skemës “Final4”. Ka ndryshuar formula e ndeshjeve dhe mënyra se si organizohet “Final4”. Është konstatuar një problematikë në mënyrën se si ka qenë aplikuar kjo skemë, ndaj tani do të zhvillohet në formën e një mini-turneu, ku çdo skuadër do të luajë me njëra-tjetrën.
Gjithashtu, ndryshojnë shpërblimet e ekipeve. Ekipi i parë do të shpërblehet me 10 milionë lekë të reja, ekipi i vendit të dytë me 7 milionë lekë të reja, i vendit të tretë do të marrë 5 milionë lekë të reja dhe skuadra e vendit të katërt do të përfitojë 2 milionë lekë të reja. Gjithashtu, do të ketë një shpërndarje në përqindje për të gjitha ekipet që kanë marrë pjesë në sezonin 2025–2026.
Shpërblimet financiare e rrisin detyrimisht edhe garën sportive. Në ndryshim nga formula e kaluar, tashmë do të duhet të presim deri në javën e fundit për të kuptuar se cila do të jetë renditja përfundimtare. Skuadra e vendit të parë do të shpërblehet, sikurse thashë, me 10 milionë lekë të reja, si dhe do të përfitojë edhe 10 milionë lekë të tjera si skuadra e shpallur kampione. Pra, skuadra që do të shpallet kampione do të përfitojë në total shumën prej 20 milionë lekësh të reja.
Në këndvështrimin tënd, ke sheh të favorizuar në garë për titull këtë sezon? Kush është ekipi më i kompletuar?
Të tre ekipet që po konkurrojnë për tre vendet e para, Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia, kanë prodhuar një futboll të një cilësie të lartë. Partizani ka një ecuri shumë pozitive në fazën e fundit, gjë e cila ka bërë që tashmë ata të jenë pjesë e katër skuadrave të para. Dinamo është skuadra që ka pasur më shumë probleme në javët e fundit, pasi ka vuajtur për të shënuar gola; ndaj kjo gjë ka sjellë edhe rotacion në tabelën e klasifikimit me Partizanin.
Se na ndjekin shumë në Shkodër. Beson se ky është viti i duhur?
Një ekip që ka udhëhequr për kaq shumë javë është një nga pretendentët kryesorë për ta fituar. Edhe në të kaluarën, diçka e tillë është vërtetuar në fund. Por ndryshimi i formulës së “Final4” mund të sjellë një specifikë më vete, pasi kërkon më shumë përkujdesje, më shumë përqendrim dhe më shumë angazhim në javët e fundit.
Riza, keni kaluar të gjithë karrierën në kryeqytet, mes Tiranës dhe Partizanit, përjashto Adana Demirspor. Kisha dy pyetje për secilin ekipin. Si e sheh Partizanin në këtë pikë të sezonit. Po zhvillon një fazë të tretë fantastike me Kërnajën në stol, por është pak i shkëputur me 3 ekipet e para. Sa shanse i jep në garën për titull?
Mes të barabartëve, shanset janë nga 25% për katër skuadrat e para. Rregullorja përcakton që secili ndeshet me secilin. Ndaj duhet një përgatitje speciale, pasi rregullorja kërkon një tjetër specifikë. Do të jetë një “matematikë” që kërkon përllogaritje nga secili trajner. Duhet gjetur më e mira e mundshme për ta përballuar me sa më shumë dinjitet fazën finale të kampionatit, pasi askush nuk e ka këtë eksperiencë nga më parë.
Një dramë të vërtetë po përjeton Tirana, një krizë shumë e thellë e zgjatur në kohë, prej disa sezonesh. Më thuaj të vërtetën, ke frikë për Tiranën?
Patjetër që kam frikë. Entuziazmi në nisje të fazës së tretë u shtua pas rezultateve në katër ndeshjet e para, por më pas erdhën sërish rezultate negative që rikthyen frikën. Ishte shumë e rëndësishme fitorja ndaj Bylisit; njësoj do të jetë edhe sfida e kësaj fundjave me Vorën.
Tiranës iu desh të riorganizohej në fillim të fazës së tretë dhe njëkohësisht të merrte edhe pikë në çdo ndeshje—dy procese që nuk ecin kaq mirë paralelisht. Në pjesën e dytë të fazës së tretë, Tirana nuk pati edhe fatin me vete, pasi ndoshta mund të kishte marrë ndonjë pikë më shumë në ndeshje të veçanta.
Flor, shpresoj shumë që të kemi një fund të bukur, një FINAL4 me emocione, por në këtë kohë e gjithë vëmendja është tek ekipi përfaqësues, te sfidat e fazës “play-off”. Si është atmosfera në Federatë, keni pasur mundësi të takoni trajnerin Sylvinho, çfarë ndjesie keni ju personalisht?
Trajnerin e takojmë përditë, pasi qëndron këtu këtë periudhë. Ne nuk kemi entuziazëm, ose më saktë, nuk kemi më frikë si dikur. Kjo skuadër nuk e prodhon më frikën. Kemi treguar me pjesëmarrjet në Euro 2016 dhe Euro 2024 që mund të përballojmë edhe ndeshje të niveleve të larta, sikurse kemi bërë me Spanjën, Italinë apo Kroacinë.
Megjithatë, “play-off”-i ka specifika të veçanta; luhet vetëm një ndeshje në transfertë, në Varshavë. Përballë do të kemi një skuadër që ka marrë pjesë në të kaluarën në finalet e kampionateve botërore. Ata kanë gjithashtu lojtarë shumë cilësorë; mjafton të përmendim Lewandowskin, një prej sulmuesve më të mirë në vitet e fundit në historinë e futbollit botëror.
Riza, mungon Manaj, Medon Berisha, Daku është në dyshim të fortë, Arbër Hoxha dhe Broja të sapo rikthyer nga dëmtimet, të shqetëson kjo situatë?
Më shqetëson deri diku. Sulmuesit, në gjykimin tim, në këtë sfidë do të duhet të jenë potencialisht vendimtarë në lojë gjatë 30 minutave të fundit, nëse sfida do të jetë në barazim deri atëherë. Ndeshjen ndaj Polonisë nuk e shikoj si një ndeshje për t’u fituar që nga minuta e parë, por si një kualifikim që mund të vijë në disa forma.
Polonia, duke luajtur në shtëpi, do të ketë shumë presion; ndaj ne duhet ta menaxhojmë mirë ndeshjen, të qarkullojmë topin dhe të lodhim kundërshtarin. Nuk besoj se sfida ndaj Polonisë është më pak e vështirë se ajo që zhvilluam me Serbinë. Sigurisht, edhe fati ka ndikimin e vet në të tilla përballje. Episodet mund të vendosin, ndaj edhe duhen menaxhuar mirë, si kur episode i ke në favor, ashtu edhe kur i ke kundër.
Ndeshja ndaj Polonisë është “para-ëndrra”, pasi ëndrra jonë është të kalojmë Poloninë dhe të kualifikohemi më pas në Kupën e Botës për herë të parë. Kjo është një nga ëndrrat më të mëdha të gjithë komunitetit sportiv, tifozëve dhe të gjithë shqiptarëve. Ky mund të jetë momenti i duhur për ta bërë realitet, dhe ne duhet ta përjetojmë këtë të gjithë së bashku.
Një pikëpyetje e madhe ka mbi rolin e Muçit në këtë sfidë. Aktualisht është lojtari më në formë i ekipit përfaqësues. Në shijen tënde, a duhet t’i besojmë Muçit këtë herë? Pra të ketë një rol si protagonist?
Jam dakord, si për nivelin e tij teknik dhe taktiko, ashtu edhe për të gjithë bagazhin që ka si futbollist. Mendoj se duhet të jetë pjesë e skuadrës; më pas i takon trajnerit të vendosë lidhur me aktivizimin e tij, sipas planit që ai do të ketë për këtë përballje. Ai vjen edhe nga një eksperiencë disa vjeçare në Poloni, ku luante me Legian e Varshavës. Ai e ndjen dhe e kupton më mirë atmosferën, pasi njeh lojtarët dhe stadiumet. Ndaj kjo është një avantazh që ai e ka edhe në raportet me lojtarët e tjerë.
Më bëri përshtypje një deklaratë e ish legjendës së Plonisë, Bonjek. Nëse nuk fitojmë ndaj Shqipërisë do të jetë një tërmet për futbollin tonës. A mendon se ky detaj mund të na ndihmojë, pra që shkojmë në Varshavë jo si favorit, pa shumë presion.
Padyshim. Ekipi që është pjesëmarrës disa herë në kampionatet botërore dhe luan në shtëpi pra, në këtë rast Polonia ka presionin më të madh nga tifozët, nga ish-lojtarët, nga vetë stafi drejtues dhe nga federata polake. U takon atyre të japin maksimumin për t’u mos turpëruar në shtëpi në këtë ndeshje.
Jo se ne nuk kemi presion, sepse nuk ka asnjë ndeshje futbolli ku lojtarët të mos kenë presion. Por ndoshta mund të jemi më të lirë sa i takon presionit të rezultatit, pasi Polonia mund të konsiderohet skuadër e programuar për të vijuar rrugëtimin në “play-off”, ndërsa ne kemi arritur deri këtu falë një strategjie të mirë-menduar dhe mentalitetit që kemi krijuar.
Ne nuk jemi skuadër që krijojmë shumë raste, por arrijmë të shfrytëzojmë çdo moment. Ndaj do të duhet që ta vazhdojmë këtë edhe tani. Po të jemi fatlumë, fitorja mund t’i buzëqeshë ekipit tonë.
