Prishtina është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur Ballkanin, në kryendeshjen e javës së 26-të në Albi Mall Superligë, me rezultat minimal 1:0.

Heroi i përballjes së zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali ishte talenti 17-vjeçar, Rin Ahmeti, i cili në minutën e 83-të realizoi golin e vetëm të takimit. Pas një pranimi të saktë të topit brenda zonës, ai reagoi me qetësi dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur tri pikë shumë të vlefshme për skuadrën kryeqytetase.

Kjo fitore shënon një kthesë pozitive për skuadrën bardhekaltër, e cila i rikthehet triumfit pas pesë ndeshjeve pa fitore në kampionat. Njëkohësisht, ishte debutim i suksesshëm për trajnerin Alban Dragusha, i cili mori drejtimin e ekipit në fillim të kësaj jave.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina ngjitet në kuotën e 41 pikëve në pozitën e tretë, duke mbetur katër pikë prapa Ballkanit dhe Dritës, me këtë të fundit që nesër e zhvillon ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Gjilanit.

Në ndeshjen tjetër të ditës, Ferizaj ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës, duke triumfuar 1:0 ndaj Drenicës në një duel direkt mes skuadrave që luftojnë për të mbetur në elitë.

Takimi ishte dramatik dhe me kthesa. Drenica e gjeti golin në minutën e 71-të përmes Igball Jasharit, por pas rishikimit me sistemin VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje në fazën e ndërtimit të aksionit.

Vetëm dy minuta më vonë, Ferizaj ndëshkoi mysafirët, duke kaluar në epërsi me golin e Ade Oguns, i cili rezultoi vendimtar për fatin e ndeshjes.

Situata për Drenicën u vështirësua edhe më shumë në minutën e 77-të, kur qendërmbrojtësi Christian Da Silva u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak deri në fund të takimit.

Ferizaj arriti ta menaxhojë epërsinë deri në fund dhe të regjistrojë fitoren e tretë radhazi në kampionat, pas sukseseve ndaj Prishtinës dhe Malishevës. Me këtë triumf, skuadra ferizajase ngjitet në vendin e shtatë me 32 pikë, duke lënë pas vetes Llapin. Në anën tjetër, Drenica mbetet në pozitën e nëntë me 28 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb