Andrea Kimi Antoneli kishte vetëm një mis ion në vizitën e tij të parë në Brazil në Formula 1: të vizitonte varrin e Airton Senës, figurës që ka qenë gjithmonë pika e tij e referimit. Ai shkoi në varrezat Morumbi në Sao Paulo dhe u gjunjëzua për të vendosur një buqetë me lule.
Ky është vetëm një shembull i adhurimit që ai ka që nga fëmijëria për 3 herë kampionin brazilian. Për këtë arsye, kur u ftua nga Imola, nga tifozët e Airton Senës, për të marrë pjesë në një homazh për pilotin e ndjerë, italiani nuk mund të thoshte tjetër veçse “po”. Aktualisht në Itali ai konsiderohet “djali i artë”, sidomos pas fitores në Kinë. Në Formula 1 dhe te Mercedes tashmë e shohin si yllin e ri.
Piloti shumë i ri, vetëm 19 vjeç (mbush 20 në gusht), tregoi se çfarë përfaqëson Sena për të: “Është bukur të jesh këtu duke festuar një legjendë të vërtetë. Shumë emocionuese. Airton ka qenë gjithmonë një mit për mua. Kam parë çfarë bënte Sena për njerëzit, për Brazilin, ai ka qenë burim frymëzimi për mua. Kujdesej për çdo detaj për të fituar. Unë bëj atë që kam ëndërruar gjithmonë dhe jam gati të jap gjithçka për qëllimin tim. Dua ta arrij Senën”. Madje, piloti nga Bolonja mban numrin 12 në kujtim të brazilianit, pasi ky ishte numri që Sena përdorte në fillimet e tij në Formulën 1.
DREJT TITULLIT
Sena fitoi tre tituj kampionë dhe Kimi synon ta imitojë. Në këtë aktivitet, Riçardo Patrese, i cili garoi me Airtonin, nuk ngurroi ta sfidonte Antonelin. “Duhet të luftosh për Kampionatin Botëror”, i tha ai. Talenti i ri e pranon sfidën: “Në fund, që vitin e kaluar kam treguar herë pas here çfarë mund të bëj. Por nuk kam arritur ta shfaq plotësisht potencialin tim, dhe kjo është diçka ku po përqendrohem këtë vit, sepse kam një mundësi të madhe. Xhorxh (Rasëll) dhe unë kemi një makinë shumë të fortë dhe dua të jap maksimumin, ta shfrytëzoj këtë mundësi në maksimum. E di që nuk është një shans që vjen çdo ditë, ndaj duhet ta provoj. Do të përpiqem deri në fund, sepse jam në një pozicion të mirë, në një ekip të madh”.
NJË MERCEDES SUPERIOR
Piloti italian nuk heziton të pranojë se makina e tij është më e mira, megjithëse nuk mendon se kjo vjen vetëm nga motori: “Është superiore, por ka edhe makina të tjera që përdorin të njëjtin motor. Paketa jonë është shumë më e kompletuar dhe duhet të pranoj që ekipi po bën një punë të jashtëzakonshme. Nuk është vetëm çështje motori, por edhe shasie, sepse kthesat duhet të përballohen mirë. Mendoj se flitet shumë për motorin dhe pak për shasinë, sepse në fund makina funksionon shumë mirë. Në Kinë, për shembull, ishim të vetmit që kishim shumë pak degradim të gomave gjatë garës. Mesazhi është i qartë, makina funksionon”, deklaroi Antoneli.
