Miniera e nikelit në Bitinckë të Devollit, një nga zonat më të pasura me minerale në juglindje të vendit, së fundmi është rikthyer në vëmendje jo vetëm për historinë e saj të gjatë shfrytëzimit, por edhe për perspektivën e investimeve të reja. Së fundmi, takimi i kryeministrit Edi Rama me ambasadoren amerikane në Athinë I cili sic thanë burimet lidhej me një investim Greko-amerikan për shfrytëzimin e hekur-nikelit dhe boksitit në minierën e Bilishtit, ka nxitur diskutime.
Banorët dhe ish-punonjësit e minierës sjellin në kujtesë një të kaluar të vështirë. 70-vjeçari Ylli Xhafi, i cili ka punuar për katër vite në sektorin e gjeologjisë, tregon se pas viteve 90 miniera u shfrytëzua pa kriter nga privatët deri rreth viteve 2012-2013.
Edhe 75-vjeçari Skënder Bregu, ish-minator për rreth 12 vite, kujton kushtet e vështira të punës dhe humbjet e shokëve të tij. Sot, ai shpreh pakënaqësi për pensionin prej rreth 190 mijë lekësh të vjetra, duke theksuar se sakrificat nuk janë vlerësuar siç duhet.
75-vjeçari Avni Hysi, thotë se hapja e minierës çoi në shkatërrimin e një fshati të tërë dhe la gjurmë të rënda mjedisore. Sipas tij shumë banorë për shkak të ndotjes kanë ndërruar jetë nga sëmundjet e rënda.
Ndërsa 60-vjeçari Gëzim Topalli thekson se firmat private e shfrytëzuan në mënyrë të gabuar, duke marrë materialin kryesisht në sipërfaqe dhe pa standarde të duhura.
Nga ana tjetër Lavdërim Mimellari, specialist i minierave dhe ish-punonjës për 15 vite, thotë se Bitincka përmban rezerva të mëdha mineralesh, përfshirë boksitin, një pasuri e rrallë për Shqipërinë.
Ai paralajmëron se rreziku mjedisor mbetet i lartë nëse nuk përdoren metoda moderne.
Mes kujtimeve të hidhura të së kaluarës dhe pritshmërive për investime të reja, banorët kërkojnë garanci që historia të mos përsëritet.
