Arabia Saudite raportohet t’i ketë kërkuar SHBA-së të shtojë sulmet ndaj Iranit, konfirmoi një burim i inteligjencës saudite, ndërsa po shqyrton një vendim nëse do t’i bashkohet drejtpërdrejt luftës. Burimi saudit konfirmoi raportimin në Neë York Times, i cili tha se udhëheqësi de facto i mbretërisë, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i ka kërkuar presidentit Donald Trump të mos e ndërpresë luftën e tij kundër Iranit dhe se fushata SHBA-Izrael përfaqësonte një “mundësi historike” për të ribërë Lindjen e Mesme.
Burimi i inteligjencës tha se Riadi nuk po bënte thirrje vetëm për vazhdimin e fushatës ushtarake, por edhe për intensifikimin e saj. Trump u duk se konfirmoi raportin në lidhje me rolin e princit të kurorës, duke u thënë gazetarëve të martën: “Po, ai është një luftëtar. Ai po lufton me ne.”
Nuk ka raportime për përfshirje aktive të ushtrisë saudite në luftën gati katër-javore deri më tani, por një analist politik saudit tha se mbretëria ka të ngjarë të ndërmarrë këtë hap nëse përpjekjet aktuale të paqes të udhëhequra nga Pakistani dështojnë.
Arabia Saudite është sulmuar me dronë iranianë, si pjesë e përgjigjes së Teheranit ndaj sulmit SHBA-Izrael më 28 shkurt. Një sulm me dronë një javë më parë goditi një rafineri nafte në Yanbu në bregdetin e Detit të Kuq saudit.
Arabia Saudite dhe Irani, duke pretenduar përkatësisht role udhëheqëse të botës sunite dhe shiite islamike, kanë qenë prej kohësh rivalë rajonalë. Sipas një kabllogrami të publikuar të departamentit të shtetit të SHBA-së, xhaxhai i princit të kurorës, Mbreti Abdullah, i kërkoi ushtrisë amerikane në vitin 2008 të “presë kokën e gjarprit”, një referencë për regjimin teokratik në Teheran.
