Kupa e Botës 2026 do të sjellë jo vetëm një format të ri me më shumë skuadra, por edhe një risi teknologjike që pritet të ndryshojë mënyrën se si monitorohet loja. Bëhet fjalë për “Trionda”, topin zyrtar të turneut, i cili përmban teknologji të avancuar për të ndihmuar gjyqtarët dhe për të ofruar më shumë informacion për tifozët.

I prodhuar nga Adidas, “Trionda” është një top inteligjent i pajisur me një sensor të integruar prej 14 gramësh. Ky sensor regjistron shpejtësinë, trajektoren, rrotullimin dhe kontaktet e lojtarëve me topin deri në 500 herë në sekondë. Gjatë ndeshjes, topi komunikon me një rrjet sensorësh të vendosur në stadium, duke mbledhur dhe transmetuar të dhëna në kohë reale. Informacioni përpunohet me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke ndihmuar gjyqtarët të marrin vendime më të shpejta dhe më të sakta në situata vendimtare, si rastet e pozicionit jashtë loje apo verifikimi nëse topi ka kaluar plotësisht vijën e portës.

Një detaj interesant është se, për herë të parë, edhe topi do të ketë nevojë të karikohet përpara ndeshjeve, pasi sistemi elektronik i integruar funksionon me bateri. Përfitime do të kenë edhe tifozët, të cilët do të mund të ndjekin statistika të avancuara në kohë reale, si goditja me rrotullimin më të madh, goditja më e fortë apo shpejtësia maksimale e arritur nga topi gjatë lojës.

Edhe dizajni i “Trionda” mbart simbolikën e Kupës së Botës 2026. Ngjyra e kuqe përfaqëson Kanadanë, elementët e gjelbër i referohen Meksikës, ndërsa bluja me yje simbolizon Shtetet e Bashkuara. Detajet e arta janë një homazh për trofeun e Kupës së Botës FIFA. Botërori i vitit 2026 do të jetë historik edhe për një arsye tjetër: për herë të parë do të organizohet nga tre vende pritëse – Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara. Ndeshja hapëse do të zhvillohet më 11 qershor në Mexico City, ndërsa finalja do të luhet më 19 korrik në New Jersey.

Turneu do të ketë gjithashtu formatin më të madh në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse. Gara do të zgjasë 39 ditë dhe do të përfshijë 12 grupe me nga katër skuadra, si dhe një raund shtesë me eliminim direkt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: