Përgjigja e Iranit ndaj planit 15-pikëshe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje të mundshme paqeje pritet të vijë gjatë së premtes, sipas burimeve të cituara nga CBS News.

Sipas raportimit, Presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë janë informuar se kundërpropozimi i Teheranit ka gjasa të dorëzohet përmes ndërmjetësve. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të lajmit, përgjigja ende nuk kishte mbërritur.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi se administrata amerikane i ka paraqitur Iranit një plan të detajuar me 15 pika për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Ky plan është transmetuar përmes Pakistan, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në këtë proces delikat diplomatik.

Një burim nga rajoni bëri të ditur se Pakistani ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me strukturat kyçe të sigurisë në Iran, të cilat konsiderohen si aktorët kryesorë vendimmarrës në vend, përtej Ministrisë së Jashtme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb