Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vlerësoi sot në Kuvend kreun e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Gjatë një replike me deputetë të opozitës, Lamallari tha se Hita është një oficer karriere që ka shërbyer me integritet në radhët e uniformave blu.
Pjesë nga fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme:
Duke qenë se nuk i shpëtuam as kësaj radhe akuzave për Policinë e Shtetit, edhe pse vetëm sot është miratuar vendimi i qeverisë për caktimin në detyrë dhe dhënien e gradës “Drejtues Madhor” të zotit Skënder Hita, për fatin e keq të drejtuesit të ri dhe të çdokujt që do të vijë, i cili duhet të marrë parasysh që në përshkrimin e punës së tij do ketë akuzat dhe baltën e opozitës.
Në fakt, Policia e Shtetit është e shtetit shqiptar, i duhet dhënë mbështetje, i duhet dhënë besim dhe le ta provojë me punë dhe përkushtim se i shërben shtetit shqiptar, qytetarëve dhe integrimit të vendit.
Zoti Hita është një oficer karriere. Unë kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej nëntë vitesh tashmë, që kur pata nderin t’i bashkohem Ministrisë së Brendshme, rreth tetë vite e gjysmë apo nëntë vite më parë. Ai ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit, ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj uniformës dhe organizatës.
Jam shumë i lumtur në fakt që si një ndër kandidatët më të vlerësuar të konkursit të mbikëqyrur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht ata të Bashkimit Evropian, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë ditës që janë kryer intervistat, ka spikatur roli dhe kontributi i tij në disa vite në Policinë e Shtetit.
Sigurisht, besoj se edhe zoti Hita, por edhe paraardhësit e tij dhe ata që do të vijnë më pas, janë mësuar tashmë me faktin se gjithçka bëhet politike, për fat të keq, edhe vetë Policia e Shtetit politizohet dhe çfarëdo që ajo të bëjë, do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që ka si mision vetëm të hedhë baltë mbi çdo kënd, të institucionalizojë dhunën duke e bërë instrument politik. Dhe jo vetëm për fatin e keq të Policisë së Shteti dhe çdo institucioni shqiptar, por për fatin e keq të Shqipërisë, e cila është në një moment vendimtar në raport me përmbylljen e procesit të negociatave, me gjithë progresin e bërë shumë mirë, ku unë pata mundësinë që vetëm pak ditë më parë diçka e tillë të më konfirmohej nga takimet që pata në Bruksel, si me Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, zotin Brunner, ashtu edhe me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët gjithashtu shprehën vlerësimin pozitiv të njohur edhe nga progres-raporti për Shqipërinë, edhe për pjesën e kapitujve themelorë, duke përfshirë këtu edhe Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, ku Policia e Shtetit padyshim ka dhënë kontribut të çmuar në drejtim të përmbushjes së detyrimeve, përkatësisht piketat e ndërmjetme.
Por, duke qenë se këtu çdo gjë politizohet, çdo kush anatemohet, i vetmi faj që ka çdo përfaqësues, punonjës i Policisë së Shtetit, është që deputeti në fjalë, që kur u thirr bukurosh, i është bërë obsesion dhe tani nuk i ndahet këtij muhabeti dhe vazhdon anatemon çdo kënd dhe e përdor për politikë bajate, ordinere, si emrin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilit veçse duhet t’i urojmë suksese dhe mbarësi në punën e tij, në misionin e shenjtë për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe gjatë protestave që ju bëni, protestave që bëni, molotovëve që ju hidhni, duke mbajtur në njërën dorë flamujt e vendeve të BE dhe hidhni përtokë dhe shkelni flamurin kombëtar. Trupi qoftë me ju, turpi qoftë me ju dhe prisni deri në interpelancën e radhës se përgjigjen do ta merrni aty. Shumë faleminderit.
