Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te tensionet brenda Partisë Socialiste dhe përplasjet e brendshme për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas Kullurit, ajo që po ndodh në PS dhe në PD është reflektim i një krize më të gjerë lidershipi dhe mungese demokracie të brendshme në të dyja forcat kryesore politike.
“Ka një krizë lidershipi që ka nisur në PD prej vitit 2017. Tashmë kriza e njëjtë ka shpërthyer edhe në PS, edhe pse jo me retorikë aq të ashpër,” u shpreh ai.
Duke komentuar ambicien e Erion Braçes për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, përballë preferencës së kryeministrit Edi Rama për Ogerta Manastirliu, Kulluri theksoi se kjo përplasje nxjerr në pah ndarjet brenda partisë.
Ai vlerësoi gjithashtu profilin politik të Braçes, duke e cilësuar si “socialist bio”, në kontrast me pjesë të lidershipit aktual të PS-së, që sipas tij nuk përfaqëson elektoratin tradicional të majtë.
Analisti ndaloi edhe te reagimi i fundit i Elisa Spiropalit, duke e cilësuar atë si një zhvillim pozitiv.
“Reagimi i Spiropalit është për t’u komplimentuar, kishte ardhur koha, madje është vonë. Një parti forcohet nga debati për parime,” u shpreh ai.
Kulluri shtoi se si Spiropali ashtu edhe Braçe nuk rezultojnë të përfshirë në akuza për korrupsion, duke i veçuar si figura që po ngrenë zërin në një moment tensioni brenda mazhorancës.
