Ekspert i sigurisë, Xhavit Shala, në një lidhje me studion e News24, ka komentuar njoftimin e ambasadës së SHBA-së për sigurinë në Shqipëri, duke theksuar se nuk ka vend për panik, por kërkohet një përkujdesje e shtuar.
Shala shpjegoi se qëndrimi i Iranit ka qenë armiqësor që nga ardhja e opozitarëve iranianë të njohur si MEK, të cilët kanë statusin e refugjatit. Sipas tij, tensioni arriti kulmin kur u përzë ambasadori iranian në Tiranë.
Eksperti theksoi se Irani ka kryer një “luftë hibride”, përfshirë sulme kibernetike ndaj institucioneve shqiptare. Së fundmi, rrjeti i Kuvendit dhe Prokuroria janë objekt i këtyre sulmeve, por falë investimeve në sigurinë kibernetike, nuk janë shkaktuar dëme.
“Sulme do të ketë dhe përpjekje do të ketë, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj vendeve të tjera që Irani i konsideron armiqësore. Nuk ka vend për panik; kemi qenë në një sulm të përhershëm nga Irani,” tha Shala, duke këshilluar monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm.
Xhavit Shala: Ka një keqkuptim mbi njoftimin e ambasadës së SHBA, por nuk është vendi për panik por për një përkujdesje të shtuar. Irani ka mbajtur një qëndrim armiqësor që kur erdhën opozitarët iranianë që quhen MEK dhe që kanë statusin e refugjatit. Ky qëndrim arriti kulmin kur u përzu ambasadori iranian në Tiranë. Ata kanë patur një luftë hibride, ku ajo më e dukshmja janë sulmet kibernetike.
Më vonë kanë vijuar sulmet, dhe Shqipëria ka qenë në tragetin e sulmeve kibernetike ku së fundmi u sulmuan rrjeti i Kuvendit, prokurorisë por falë investimeve, nuk ka patur dëme.
Sulme do të ketë, përpjekje do të ketë jo vetëm ndaj nesh por dhe vendeve të tjera që Irani i quan armiqësor. Nuk ka vend për panik ne kemi qenë në një sulm permanent nga Irani.
