Policia e Vlorës njofton se ka shpallur në kërkim 3 persona të përfshirë në konfliktin e djeshëm ku gjeti vdekjen një 63-vjeçar, pasi u godit fizikisht nga disa persona.

Ismail Aliaj u dhunua me grushte e shkelma nga Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, të gjithë të shpallur në kërkim të akuzuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë

“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.

Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas burimeve policore, ngjarja ka lidhje me një konflikt të mëparshëm mes djalit të viktimës dhe autorit të sulmit. Babë e bir kanë shkuar në rrugën Gjergj Araniti për të sqaruar situatën, duke u përballur me autorin, i cili në ato momente ishte në makinë me familjen e tij, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali.

Fillimisht debati ka qenë verbal, por më pas ka degjeneruar në fyerje dhe sharje. Situata u tensionua edhe më shumë kur dy shokë të autorit u përfshinë në konflikt. Pas përleshjes fizike me grushte dhe shkelma, Ismail Aliaj humbi jetën në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb