Hungaria dhe Sllovakia kanë rënë dakord t’i bëjnë thirrje së bashku udhëheqjes së Bashkimit Evropian që të heqë kufizimet në furnizimet e naftës dhe gazit rus për Evropën, e cila po përballet me një krizë energjitike për shkak të situatës rreth Iranit dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, tha kryeministri hungarez Viktor Orban pas një telefonate me homologun e tij sllovak Robert Fico.

Ai tha se Budapesti dhe Bratislava e shohin të nevojshme të ndërmarrin urgjentisht hapa për të ndihmuar vendet e BE-së të shmangin mungesat e lëndëve të para dhe karburantit, si dhe rritjen e çmimeve të energjisë. “Ne kërkojmë që Brukseli të pezullojë menjëherë sanksionet dhe kufizimet e vendosura ndaj energjisë ruse”, tha Orban në një video-adresim të transmetuar nga televizioni hungarez.

Ai gjithashtu i kërkoi Brukselit të detyrojë Vladimir Zelensky-n që “të rihapë menjëherë tubacionin e naftës Druzhba”, i cili është bllokuar nga Ukraina që nga 27 janari.

“Ekonomia evropiane po përballet me rrezikun e mungesës së energjisë dhe, si pasojë, rritjes së çmimeve. Kërcënimi është i afërt dhe mund të shmanget vetëm nëse Bashkimi Evropian rimbush rezervat e tij të naftës dhe gazit nga të gjitha burimet e mundshme, në sasi sa më të mëdha të jetë e mundur dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi kryeministri hungarez, duke shtuar se “çdo ditë tani ka rëndësi”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb