Kampionia në fuqi, Drita, ka arritur të sigurojë një tjetër fitore të rëndësishme të dielën, duke mposhtur Malishevën, me rezultat 2-0 në kuadër të xhiros së 27-të të AlbiMall Superligës, në fushën me bari artificial në Gjilan. Blerton Sheji hapi rezultatin për Dritën në minutën e 32-të me një goditje të bukur me kokë, ndërsa Kristal Abazaj vulosi fitoren në minutën e 65-të, duke shfrytëzuar një moment jo të mirë të dy mbrojtësve të Malishevës. Me këtë fitore, Drita ruan vendin e parë në tabelë me 51 pikë, tri më shumë se Ballkani i vendit të dytë, ndërsa Malisheva qëndron në vendin e pestë me 40 pikë. Kjo ishte fitorja e tretë rresht për kampionët.

Në ndeshjet të kësaj jave, Drenica dhe Prishtina ndanë pikët pas një takimi dramatik që përfundoi 2-2 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Drenica kaloi e para në epërsi në minutën e 30-të me Ronaldon, nga një penallti e akorduar pas ndërhyrjes së Dren Zeqirit ndaj Jan Solerit. Prishtina barazoi rezultatin në minutën e 50-të me golin e Mario Ilievskit. Drenica e riktheu epërsinë shpejt me golin e Kreshnik Ukës në minutën e 61-të. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi kapiteni i Prishtinës, Leotrim Kryeziu, në minutën e 85-të, kur u gjend më së miri para portës vendase pas topit të rikthyer nga portieri dhe me gjuajtje me kokë shënoi golin e barazimit.

Pas kësaj xhiroje, Prishtina ka 42 pikë në vendin e tretë, po aq sa edhe Gjilani në pozitën e katërt, ndërsa Drenica ndodhet në vendin e nëntë me 29 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb