NGA DR. JORGJI KOTE

Në takimin e Kryeministrit Rama me ambasadorët tanë jashtë vendit shtatorin e kaluar, në atë me drejtuesit e lartë të MEPJ-së në janar të vitit në vazhdim dhe sidomos në Ligjin e ri mbi Shërbimin diplomatik vihet me të drejtë  theksi te nevoja për një kthesë cilësore dhe nxitjen e dimensionit ekonomik të diplomacisë sonë. Ky shqetësim u ngrit me forcë edhe disa vite më parë po nga Kryeministri Rama, madje me detyra ndaj ambasadorëve dhe diplomatëve deri te marrja e  masterit për ekonomi/biznes.  Gjithsesi, rezultatet në këtë fushë janë minimale, edhe pse jo për faj vetëm të diplomacisë. Këtë e them si nga praktika e gjerë teorike dhe praktike ndërkombëtare ashtu dhe nga përvoja e gjatë që kam në diplomaci edhe jashtë vendit, sidomos në Belgjikë, Luksemburg dhe në Berlin; po ashtu falë kualifikimit dhe përvojës si ekonomist në tregtinë e jashtme, trajnimin një vjeçar në Universitetin Ekonomik të Vjenës dhe gjetkë.

Në radhë të parë, suksesi në realizimin e këtij objektivi kërkon që qeveria dhe drejtuesit e diplomacisë sonë të kenë një kuptim dhe tabllo të qartë të  diplomacisë ekonomike,kornizës së saj,  “pse”-të, aktorët dhe komponentët e saj përbërës.

Eksperti i mirënjohur indian, Ambasadori Keshan Rana që  ka shërbyer në shumë poste të larta dhe ambasadoriale në vende të ndryshme e përkufizon diplomacinë ekonomike si “një proces nëpërmjet të cilit vendet e ndryshme merren me botën e jashtme me qëllim të maksimalizimit të përfitimeve  kombëtare në fushat e tregtisë, investimeve dhe formave të tjera të përfitimit ekonomik nga këto shkëmbime falë avantazheve të tyre  krahasuese”.

Diplomacia ekonomike ose e sipërmarrjes, siç njihet ndryshe është shumë e lashtë; sipas burimeve arkivore egjiptiane, ekonomia ishte baza dhe motivi kryesor i negociatave dhe marrëveshjeve diplomatike qysh në vitin 1460-1220 para erës së re. Në këtë fushë krahas vendeve të tjera më të mëdha shquhet  edhe Belgjika; kjo pasi për shkak të kushteve të saj specifike, politika Belge ka qenë vazhdimisht e kushtëzuar nga pavarësia e saj ekonomike. Kjo edhe se në veri Belgjika kishte Holandën, e cila zotëronte kanalet tregtare dhe për pasojë, industria e zhvilluar belge nuk mund të bënte asgjë pa kanalet e veta të pavarura tregtare. Për rrjedhojë, krahas shumë masave të tjera në fushën diplomatike, qysh përpara Luftës së I Botërore, Brukseli u bë vendi pritës i Ekspozitës Botërore Tregtare (EXPO)! Në vijim, më 1958 në Bruksel u çel EXPO tjetër me Atomiumin e famshëm si simbol të saj.

Nevojën e forcimit të këtij dimensioni të diplomacisë e kanë nxjerrë më shumë në pah zhvillimet gjatë 35 viteve të fundit, globalizimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, zgjerimi i shoqërive shumëkombëshe, shtrirja e ekonomisë së tregut në vendet lindore, ashpërsimi i konkurrencës për teknologji dhe investime të huaja, kriza energjetike dhe e naftës, mbrojtja e mjedisit, rritja e mirëqenies sociale etj.

Gjithashtu,  diplomacia ekonomike ka rëndësi mbasi ajo vepron si çelës, hapës, nxitës dhe katalizator i fuqishëm i lidhjeve politike  mes vendeve të ndryshme. Kështu, marrëdhëniet tona diplomatike me Greqinë më 1971 u hapën pas bisedimeve ndërmjet Dhomave të tyre të Tregtisë; edhe bisedimet tona në vitin 1985 me RFGJ-në u zhvilluan me ndërmjetësimin e gjigandit “Mercedes-Benz”.

Ndërkohë, shumë projekte dhe programe politike kanë lindur nga diplomacia ekonomike. Dihet se BE-ja  e sotme lindi si bashkim i prodhimit të qymyrit, çelikut dhe atomit dhe më vonë kaloi në bashkim doganor, monetar dhe ekonomik. Shumë shpejt, ato i hapën rrugën natyrshëm bashkimit politik dhe vlerave më të mira emancipuese qytetare. Kësisoj u hodhën bazat për paqe, të cilat krijuan terrenin e nevojshëm pjellor për zhvillimin e vlerave dhe  standardeve perëndimore të BE-së.

Gjithashtu, diplomacia ekonomike ka një rol tejet të rëndësishëm edhe në drejtim të imazhit, si produkt i një pune të gjatë. Mrekullia social – ekonomike gjermane në fillim të viteve ’50, e realizuar pas shkatërrimeve që ajo pësoi në të gjitha aspektet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte faktori vendimtar në krijimin e një imazhi të ri cilësor dhe pozitiv të saj në sytë e popujve të tjerë.

Katër shtyllat kryesore të diplomacisë ekonomike janë: nxitja e tregtisë dhe eksporteve, tërheqja e investimeve të huaja, thithja e teknologjisë moderne dhe menaxhimi i ndihmave ekonomike& zhvillim.

Diplomacia ekonomike zhvillohet nga dhe në organizatat, grupimet dhe forumet ekonomike, tregtare dhe financiare të botës, sidomos Banka Botërore, FMN-ja, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), OECD-ja, Banka Europiane e Investimeve, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim etj, ku vendi ynë ka mbi 20 vjet që është anëtar.

Diplomacinë ekonomike po e praktikojnë dhe promovojnë gjithnjë e më shumë edhe organizatat ekonomike rajonale; ndër më të njohurat ndër to është Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, ku Shqipëria është ndër vendet e para themeluese më 1992 dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vendeve të rajonit (CEFTA), Nisma e Europës Qendrore etj.

Drejtimi i dytë dhe kryesor ka të bëjë me rolin e diplomacisë zyrtare, të përfaqësive diplomatike jashtë shtetit, në bashkëpunim dhe në mbështetje të dikastereve të linjës, si dhe programeve e projekteve të tyre. Ministritë e Jashtme e kanë ekonominë ndër komponentët më kryesorë të veprimtarisë së tyre. Edhe pse deri vonë diplomatët apo atashetë ekonomikë konsideroheshin  si “vrima e fundit e kavallit”. Madje, në raste të caktuara, puna në ata sektorë konsiderohej si një lloj “dënimi” apo uljeje për diplomatët. Por, në këto 20 vitet e fundit, diplomacia ekonomike ka dalë nga periferia e shërbimit të jashtëm duke iu afruar më shumë qendrës së saj.

Në pikpamje strukturore, Departamenti Amerikan i Shtetit ka një Nënsekretar të posaçëm që drejton diplomacinë ekonomike, kurse India dhe Brazili kanë komitete të veçanta; Zvicra ka një ndër institucionet më efikase – Zyrën e Promovimit të Tregtisë (Swiss Trade promotion Office). Ndërsa Gjermania e ka renditur diplomacinë ekonomike ndër tre shtyllat kryesore të politikës së saj të jashtme; eksportet e saj japin 45 % të GDP-së; GIZ- i saj njihet në gjithë botën  për ndihmesën e saj në fushën e bashkëpunimit teknik dhe financiar. Edhe në vendin tonë GIZ ka kryer investime të konsiderueshme në disa prej fushave më jetike, si mbrojtjen e mjedisit, turizmin, nxitjen e biznesit. Po ashtu, 25 vite më parë, me mbështetjen e qeverisë gjermane  në Berlin u krijua “Shoqata Ekonomike Shqipëri-Gjermani” ( DAW). Me bashkëpunim e përpjekje të përbashkëta, ajo erdhi duke i shtuar rradhët dhe më vonë u bë bazë për krijimin e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë. Siç kam shkruar më gjatë të librat “ Berlini pa mure”( 2009) dhe “ Diplomacia për të gjithë” ( 2014) gjatë punës në Ambasadë në Berlin në dekadën e parë të viteve 2000 kemi patur  ndihmën dhe bashkëpunimin e saj të frutshëm.

Nisur nga sa sipër,  ambasadat në vendet e huaja dhe sektorët e tyre ekonomikë po bëhen përherë dhe më aktive. Ato merren me ndjekjen e politikave ekonomike të vendit ku janë akredituar, rrjedhojat për rajonin dhe vendin tonë, si dhe me politikat ekonomike të vendit të tyre, sidomos në drejtim të investimeve të huaja, shkëmbimeve tregtare, panaireve, ekspozitave dhe mbështetjes së biznesit. Diplomatët ekonomikë në këto vende i sheh fare pak në zyra dhe më shumë në bisedime tregtare, për kontrata e marrëveshje, edhe pse ata nuk janë direkt të përfshirë në to, në shoqërim grupesh biznesi, delegacionesh ekonomike, pjesëmarrje në panaire, etj duke u marrë me përgatitjen e tyre deri në përfundim.

Për sa i përket vendit tonë, drejtues të atëhershëm të qeverisë, në takimin e ambasadorëve në vitin 2007 e shpallën diplomacinë ekonomike si përparësi parësore. Pati disa përçapje, u emërua një zëvendësministër dhe u krijua një Drejtori e Përgjithshme e posaçme, cila u shkri në vitin 2012 në kuadrin e shkurtimeve. Gjithsesi, duke parë rezultatet konkrete, nuk e di se sa mund të flitet për ndonjë risi të veçantë dhe të dukshme në kuptimin e vërtetë të fjalës. Themi kështu sepse duam apo nuk duam, diplomacia ekonomike ekziston. Çështja është se çfarë masash organizative dhe hapa konkrete ndërmerr një vend, ndryshimet që bën edhe në burimet përkatëse njerëzore, bashkëpunimin me dikasteret dhe institucionet përkatëse për nxitjen, përshpejtimin dhe shtimin e efektivitetit të saj në praktikë. Pra, fjala është për një hop cilësor në diplomacinë ekonomike, një fushë kjo plot sfida madhore edhe për vende shumë më të përparuara.

Nisur nga e ardhmja dhe dinamika e këtij dimensioni dhe mangësitë në trupin diplomatik, krahas MPJ-së, po mendohet e po hidhen hapa premtues nga institucione të tilla me peshë, si Dhoma e Tregtisë, Agjencia e Nxitjes së Investimeve apo dhe ndonjë dikaster i linjës edhe për dërgimin e përfaqësuesve apo atasheve të tyre ekonomikë jashtë vendit; kjo do të krijonte mundësi reale që gjithë palët e përfshira në këtë proces të merren profesionalisht e çdo ditë me dosjet e shumta ekonomike. Praktika ndërkombëtare tregon se për të mbuluar shpenzimet përkatëse, mund të bashkëpunohet edhe ndërmjet enteve dhe institucioneve të interesuara dhe biznesit privat.

Aspekti i tretë i domosdoshëm i diplomacisë ekonomike lidhet me aktorët dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm ekonomikë, si firmat, bankat publike dhe private, vendase e të huaja dhe sidomos dhomat e tregtisë dhe industrisë, këto të fundit në vendet perëndimore kanë një traditë të gjatë dhe të pasur, por dhe mjaft kompetenca dhe peshë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin e tyre si dhe në hartimin e kuadrit ligjor përkatës. Në disa raste, si në Japoni, Austri, Gjermani etj., ato kanë përfaqësuesit e tyre në vende të ndryshme, apo filiale pranë metropoleve më të rëndësishme politike dhe ekonomike botërore. Edhe në vendin tonë, kohët e fundit këto dhoma kanë ardhur duke rritur rolin e tyre. Këtu përfshihen edhe shoqatat e ndryshme sipas zanateve dhe profesioneve, think-tanke, grupe interesi e lobingu etj. Por sërish kjo është e pamjaftueshme. Kështu, në vendin tonë ka një Agjenci për Nxitjen e Investimeve me veprimtari konkrete. Por, a është roli i saj aty ku kërkohet? A ka fonde dhe kompetenca të mjaftueshme?

Veç sa më sipër, suksesi i diplomacisë ekonomike kërkon bashkëpunimin dhe bashkërendimin e të tre komponentëve të sipërpërmendur të diplomacisë ekonomike me dimensionet e tjera të trajtuara në këto shkrime. Megjithatë,  sikur jemi ende në fazën teorike të problemit dhe, për më tepër, aktorët dhe faktorët e tjerë vendimtarë të këtij dimensioni më tepër kritikojnë ose kërkojnë nga diplomacia zyrtare, pa ofruar diçka sado modeste.

Së fundi, nuk mjafton që diplomacinë ekonomike ta ngresh si problem  apo dhe të kritikosh, qoftë edhe me tone të larta; promovimi i diplomacisë ekonomike kërkon që qeveria dhe drejtuesit e diplomacisë të ulen me stafet dhe këshilltarët e tyre, duke hartuar dhe zbatuar një plan konkret veprimi me masa në të gjitha drejtimet e lartpërmendura, nga përcaktimi i fondeve të nevojshme, krijimi i strukturave në Ministri dhe në institucionet e tjera  dhe  të rekrutimi i diplomatëve me profil ekonomik dhe biznesi; vetëm jo si ndonjë vend fqinj që disa vite më parë emëror jashtë vendit nëpër përfaqësitë kryesore  diplomatike shumë “ promotorë ekonomikë”;  por gaboi duke u caktuar norma, dmth sigurimin e 10 apo më shumë kompanive të huaja investuese brenda një viti, diçka e pamundur.  Pastaj, sikur qoftë edhe një investitor të huaj serioz të sigurojë një ambasadë do të mjaftonte. Nga ana tjetër, edhe organizmat përkatëse shtetërore në Tiranë lipset t’i vlerësojnë më drejt se deri tani përpjekjet, propozimet dhe projektet e Ambasadave e jo t’i lenë në fund apo edhe t’i anulojnë momentet e fundit, siç ka ndodhur në jo pak raste, duke hedhur poshtë një punë të gjatë disavjeçare me firmat në fjalë. Sepse përpara se një kompani e huaj investitore të vendosë të vijë në vendin tonë, ajo kryen një sërë procedurash, duke filluar nga studimet e tregut, të bësueshmërisë ekonomike, etj të cilat nuk bëhen me një të rënë të lapsit apo një konferencë, por kërkojnë kohë, fonde dhe përpjekje të gjata. Mirëpo, kur ato nuk konkretizohen, krijojnë zhgënjim te të huajt, çojnë në largimin e tyre dhe përhapjen e një perceptimi negativ.

Këto dhe të tjera masa janë të nevojshme dhe urgjente; ndryshe, të mos habitemi kur edhe kjo ide dhe kërkesë e drejtë të shuhet si “flakë kashte” ashtu si ka ndodhur edhe gjatë të paktën 20 viteve të fundit. Ndaj e thamë qysh në fillim se promovimi i diplomacisë Ekonomike është  sfidë serioze madhore dhe jo slogan propagandisik, sa për të larë gojën apo për të kaluar radhën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb