Aktori dhe aktivisti politik Gent Kame, ish-kandidat për deputet i Lëvizja Shqipëria Bëhet, ka analizuar fenomenin e protestave në vend, duke theksuar se problemi nuk qëndron tek mungesa e reagimit qytetar, por tek mungesa e zgjidhjeve konkrete.

I ftuar në “Studio 24” në News24, Kame kundërshtoi idenë se shqiptarët nuk protestojnë, duke theksuar se ata janë ndër popujt më aktivë në këtë drejtim.

“Unë nuk jam dakord me konstatimin se shqiptarët nuk protestojnë. Shqiptarët dalin për rrugët, për ujin, në fshat e qytet, protestojnë edhe më shumë se të huajt. Por nuk gjejnë zgjidhje, as te pushteti qendror dhe as ai lokal,” u shpreh ai.

Sipas tij, një nga problemet kryesore mbetet politizimi i protestave dhe tentativa e vazhdueshme e politikës për t’i instrumentalizuar ato, veçanërisht në momente të ndjeshme. Ai shtoi gjithashtu se mungesa e sindikatave dhe një fryme mobilizuese e bën edhe më të vështirë organizimin dhe suksesin e protestave.

Duke u ndalur te çështja e Teatri Kombëtar, Kame sqaroi se ka qenë pro ndërtimit të një teatri të ri, por kritikoi mungesën e investimeve dhe abuzimet në sektorin e kulturës.

“Nëse një qeveri bën një teatër kombëtar, le ta bëjë. Tirana duhet të ketë të paktën 20 teatro. Problemi është pse nuk ndërtohen teatro të rinj: sepse vidhet dhe abuzohet,” tha ai.

Kame theksoi gjithashtu se një tjetër faktor që ndikon në dobësimin e protestave është mosbesimi i qytetarëve ndaj politikës aktuale, duke e cilësuar shoqërinë si të dëshpëruar dhe të pa frymëzuar.

“Është një komb i dëshpëruar, nuk gjen zgjidhje dhe nuk frymëzohet më nga kjo politikë,” u shpreh ai.

Në fund, ai nënvizoi se shpesh protestat janë shfrytëzuar nga politika, duke përmendur si shembull edhe lëvizjen studentore, ndërsa shtoi se vetëm forcat e reja politike mund të sjellin ndryshim real.

“Duhet ndryshim, duhet frymë dhe alternativa të reja. Dalja e forcave të reja është vetë një formë proteste,” përfundoi Kame.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb