Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me ligjin për portet turistike, duke e cilësuar atë si një nismë tërësisht klienteliste dhe të rrezikshme për ekonominë.
I ftuar në “Kjo Javë” në News24, Kapri u shpreh se ligji i hap rrugë investitorëve strategjikë, por në thelb përbën një “ligj me porosi” që favorizon një numër të kufizuar individësh.
Ai kritikoi mungesën e një gare të hapur dhe transparente, duke theksuar se në një situatë normale duhet të kishte një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit dhe konkurrencë të ndershme për investitorët. Ai ngriti shqetësimin se investitorët e huaj mund të detyrohen të negociojnë drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar këtë praktikë si skandaloze.
“Ligj korruptiv. E di sa nene kishte? Një nen. Neni thoshte që Këshilli i Ministrave vendos kush do të ndërtojë porte turistike në Shqipëri, me kushtet që ai i vlerëson, është ligj me porosi për 2 ose 3 persona. Në një situatë normale kur mund të bëhej një strategji për zhvillimin e turizmit, hapet gara për këtë gjë. Investitorët e huaj duhet të vijnë të trokasin te Rama dhe të bëjnë deal me të? Kjo është skandaloze. Precedenti që krijohet është që kryeministri vendos kush varfërohet dhe kush pasurohet në këtë vend” tha ai.
