Gazetarja Klodiana Lala ka denoncuar detaje të reja në lidhje me projektin “Smart City”, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës dhe rrezikun e cenimit të privatësisë. Sipas Lalës, në media nuk është folur gjerësisht për këtë projekt, ndërsa ajo ka siguruar një email që Drejtoria Arsimore u ka dërguar drejtuesve të rreth 20 shkollave në Tiranë, ku u kërkohet që të presin ekspertë të një kompanie të huaj dhe përfaqësues të policisë për të monitoruar nga afër sistemet e kamerave ose për të vendosur të reja.

Gazetarja tha në emisionin ‘Kjo javë’ në News24 se projekti “Smart City” është një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e realizuar, sipas saj, në mungesë të plotë transparence. Ajo ngriti dyshime edhe për kompaninë e përzgjedhur “LTD”, për të cilën pretendon se është përmendur në raporte ndërkombëtare për lidhje të mundshme me kompani kineze dhe akuza për shkelje të të drejtave të njeriut. Një tjetër element shqetësues, sipas Lalës, është fakti që deri më tani nuk ka pasur reagim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, ndërsa shtoi se një zëvendësministër është larguar nga detyra pasi kishte refuzuar të firmoste marrëveshjen. Gazetarja ngriti pikëpyetje të forta mbi sigurinë e të dhënave dhe privatësinë, duke paralajmëruar se instalimi i kamerave në shkolla mund të çojë në filmimin 24/7 të fëmijëve, pa një garanci të qartë se ku do të ruhen dhe si do të përdoren këto pamje. Ajo theksoi rrezikun që këto të dhëna të keqpërdoren për shantazh apo për dëmtimin e individëve.

Në këtë kontekst, Lala përmendi edhe deklaratat e Arben Ahmetaj, i cili ka pretenduar se marrëveshja është lobuar nga Ergys Agasi, një emër që, sipas saj, është lidhur nga SPAK me aktivitete kriminale. Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe kostoja e projektit, e cila sipas Lalës është dyfishuar nga 60 milionë në 120 milionë dollarë, përmes një vendimi qeverie, pa një shpjegim publik për këtë rritje. Në përfundim, gazetarja theksoi mungesën e informacionit për prindërit dhe publikun e gjerë, duke kërkuar transparencë të plotë mbi mënyrën se si do të administrohen dhe mbrohen mijëra pamje filmike që pritet të regjistrohen nga ky sistem.

“Nuk është folur shumë gjerësisht në media. Kam siguruar një email që Drejtoria Arsimore iu ka drejtuar drejtuesve të 20 shkollave në Tiranë ku i kërkon që të presin ose të pranojnë disa ekspertë të LTD nga Emiratet Arabe dhe përfaqësues të policisë, që të monitorojnë nga afër nëse ka sistem të tillë për kamerat ose t’iu vendosin. Smart City është një marrëveshje e lidhur në mungesë të plotë të transparencës mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve Arabe. Është përzgjedhur kompania LTD që ka dyshime sipas kongresit amerikan se është e lidhur me një kompani kineze dhe akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo e bën shqetësuese. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Brendshme, që duhet të largojë këtë çështje. Një zv.ministër është larguar pasi refuzoi që të firmoste këtë marrëveshje. Ajo që duhet të na shqetësojë, është se cilat janë këto marrëveshje, lidhjet që ka. Do të filmohen 24/7 fëmijët tanë. Nuk e dimë se ku do të shkojnë këto pamje. A mund të përdoren për të dëmtuar njerëz, apo për t’i sulmuar ata. Zoti Ahmetaj ka denoncuar se marrëveshja ishte lobuar nga Ergys Agasi. Po kush është Ergys Agasi? Sipas SPAK është kreu i një grupi kriminal që urdhëronte rrëmbimin e biznesmenëve rivale që të hiqnin dorë nga tenderat e AKSH. Është i njëjti person që ka filmuar zyrtarë të lartë në zyrën e tij. A mund të pranojmë një kompani që është e akuzuar për lidhje të dyshimta? Si do të ruhen këto të dhëna? Duhet të jetë e qartë se si do të administrohen. Në Britani të lajmërojnë disa herë që mund të filmoheni, por ka rregulla të qarta se si administrohen këto pamje. Nuk ka asnjë reagim nga ata, nuk kanë kërkuar konsultime. Shqetësim tjetër është dyfishimi i kostos. Nga 60 mln dollarë, është 120 mln dollarë kostoja. Është bërë ndryshim me VKM, pa asnjë shpjegim se si u rritën dhe u dyfishuan kostot. S’kemi asnjë reagim dhe shpjegim. Nuk ka informacion që t’u jetë dhënë prindërve apo personave të interesuar për këtë çështje. Ne se dimë se çfarë do të ndodhë me mijëra pamje filmike. Pamjet filmike mund të keqpërdoren, mund të përdoren për shantazhe, të keqpërdoren për dëmtimin e një fëmije të caktuar.”, -tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb