Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit socialist Erion Braçe gjatë një interpelance parlamentare, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të dëmshme për sektorin.

Në një reagim, IPQ thekson se fabrikat e përpunimit nuk kanë vepruar në dëm të blegtorëve, por kanë zbatuar detyrimet ligjore për garantimin e sigurisë ushqimore, duke refuzuar vetëm qumështin që nuk përmbush standardet e përcaktuara.

Reagimi

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ndjen detyrimin institucional të reagojë publikisht ndaj deklarimeve të bëra gjatë një interpelance parlamentare nga deputeti Erion Braçe, të cilat paraqesin në mënyrë të shtrembëruar realitetin e sektorit të përpunimit të qumështit në Shqipëri.

Deklarimet që akuzojnë fabrikat e përpunimit të qumështit se kanë vepruar në dëm të blegtorëve, duke refuzuar qumështin me përmbajtje aflatoksine apo me nivel të lartë qelizash somatike dhe prani antibiotikësh, janë të pabazuara dhe në kundërshtim të plotë me legjislacionin shqiptar për sigurinë ushqimore. IPQ sqaron opinionin publik se:

Fabrikat përpunuese të qumështit, anëtare të shoqatës IPQ, zbatojnë me rigorozitet të plotë Ligjin Nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin”, të ndryshuar, si dhe aktet nënligjore përkatëse, përfshirë Udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë Nr. 04, datë 09.03.2024 për nivelet maksimale të kontaminuesve në ushqime.

Refuzimi i qumështit që nuk plotëson kriteret e sigurisë ushqimore nuk është zgjedhje e industrisë, por detyrim ligjor i çdo operatori të biznesit ushqimor.

Gjithashtu, testimi laboratorik në momentin e pranimit të qumështit është pjesë e detyrueshme e sistemit të vetëkontrollit, bazuar në parimet e HACCP dhe Ligjit te Ushqimit Nr.9863, dhe përbën një mekanizëm kyç për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Pranimi i qumështit me aflatoksinë mbi normat e lejuara, me ngarkesë të lartë qelizash somatike apo me mbetje antibiotikësh do të përbënte shkelje të rëndë të ligjit dhe rrezik serioz për sigurinë ushqimore në vend.

Në këtë kontekst, IPQ vlerëson se deklarimet e bëra:

Dëmtojnë padrejtësisht imazhin e industrisë së përpunimit të qumështit; • Diskreditojnë investimet dhe standardet e arritura nga kompanitë shqiptare;

Cenojnë besimin e konsumatorit për produktin vendas;

Dhe krijojnë një perceptim negativ edhe përballë institucioneve të Bashkimit Europian, në një moment kyç të procesit të integrimit, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 12 “Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Fitosanitaria”.

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) rithekson angazhimin e saj të plotë për: Zbatimin rigoroz të legjislacionit shqiptar dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin shqiptar;

Bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të Integrimit Europian.

Për transparencë të plotë, bashkëlidhur këtij reagimi gjendet edhe përgjigjja zyrtare e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), me protokoll nr. 358/1, datë 28.01.2026, ku saktësohen detyrimet ligjore mbi trajtimin e rasteve të qumështit me aflatoksinë dhe kriteret e refuzimit të tij.

IPQ i bën thirrje të gjitha palëve që debati publik për sektorë jetikë si ai i ushqimit të bazohet në fakte, ligj dhe përgjegjësi ndaj shëndetit të qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb