Prej orës 16:00 ka hyrë në fuqi vendimi për bllokadën e Ngushticës së Hormuzit nga SHBA, siç ishte paralajmëruar, pasi bisedimet mes SHBA dhe Iranit dështuan një ditë më parë.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale presidenti amerikan ka kërcënuar duke thënë se kushdo që shkel vendimin do të eliminohet menjëherë.

“Kini kujdes: nëse ndonjë nga këto anije i afrohet bllokadës sonë, ato do të eliminohen menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem shfarosjeje që përdorim kundër trafikantëve të drogës në anijet në det. Është i shpejtë dhe brutal”, shkruan Trump në Truth.

Trump pretendoi se marina iraniane është “shkatërruar plotësisht”, duke shtuar se 158 anije iraniane janë fundosur. Ai paralajmëroi gjithashtu se edhe anijet e mbetura, përfshirë ato të shpejta sulmuese, do të goditen nëse i afrohen zonës së bllokadës.

Trumpo
Trumpo

Megjithatë, theksohet se kalimi neutral nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt destinacioneve jo-iraniane do të lejohet.

Reagimi i Iranit

Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër, duke i cilësuar masat amerikane në ujërat ndërkombëtare si “të paligjshme” dhe “të barasvlershme me pirateri”. Teherani paralajmëroi kundërpërgjigje, duke theksuar se nëse portet iraniane rrezikohen, atëherë asnjë port në rajonin e Gjirit nuk do të jetë i sigurt.

Autoritetet iraniane njoftuan gjithashtu se do të vendosin një mekanizëm të përhershëm kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit.

Pasojat në tregun e naftës

Një bllokadë e tillë pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në tregjet globale të energjisë. Irani eksportonte rreth 1.84 milionë fuçi naftë në ditë në mars, ndërsa në prill kjo shifër llogaritet rreth 1.71 milionë fuçi në ditë.

Megjithatë, rezervat e larta, mbi 180 milionë fuçi naftë të ngarkuara tashmë në anije, mund të zbusin përkohësisht efektin në furnizimin global.

Ndërkohë, lundrimi në Ngushticën e Hormuzit mbetet i kufizuar. Shumë cisterna nafte po shmangin kalimin, ndërsa disa anije që tentuan të kalojnë janë detyruar të kthehen pas ose të qëndrojnë të ankoruara.

Pavarësisht tensioneve, një numër i kufizuar anijesh vazhdon të operojë, kryesisht për ngarkesa nga vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb