Nedim Bajrami po kalon një moment jo të lehtë në karrierën e tij, pasi nuk po arrin të sigurojë hapësirat që dëshiron te Rejnxhërs dhe kur u duk se gjërat po ndryshonin, mesfushori nga Tetova u dëmtua duke nisur gjithçka nga fillimi.

27-vjeçari nuk bën pjesë në planet kryesore të trajnerit dhe në sfidën e fundit ndaj Falkirk qëndroi vetëm në stol. Megjithatë, panorama ndryshon kur bëhet fjalë për Kombëtaren shqiptare, ku Bajrami vazhdon të jetë një nga lojtarët më të besuar të Silvinjo. Së bashku me Kristjan Asllani, ai renditet ndër më të aktivët në këtë periudhë, me 33 paraqitje në tre vitet e fundit.

Mesfushori ofensiv është rikthyer së fundmi në skuadër pas tri ndeshjesh mungesë në kampionat, por e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë. Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2028, një lëvizje gjatë merkatos së verës shihet si një mundësi reale. Ndërkohë, raportohet se në Itali ka interes konkret për shërbimet e tij, një kampionat ku Bajrami ka kaluar edhe periudhat më të mira të karrierës, duke qenë shpesh protagonist dhe një nga lojtarët kyç të skuadrave ku ka luajtur.

Në merkaton e verës, me shumë gjasa do të largohet duke qenë se prej kohësh, nuk ka qenë i preferuar dhe u konfirmua si i tillë edhe në Europë ku përveç se u la jashtë listës në verë, e njëjta gjë u bë edhe në janar duke e privuar nga shansi për të luajtur në Europë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb