Marash Kumbulla po kalon një sezon shumë të vështirë në Spanjë me Majorkën. Mbrojtësi kuqezi u dëmtua në shtator duke munguar deri në fundin e dhjetorit dhe kur u duk se gjithçka kishte kaluar, në janar pësoi një dëmtim tjetër.

Por duket se kjo sagë dëmtimesh ka përfunduar dhe mbrojtësi tashmë është gati për t’u rikthyer në nivelin që të gjithë prisnin. Mbrojtësi kuqezi u rikthye në fushë gjatë kësaj fundjave duke marrë disa minuta në ndeshjen që Majorka fitoi ndaj Rajo Vajekanos dhe duke dhënë sinjale se problemet e pësuara më parë, tashmë kanë kaluar.

Në kampin e Majorkës, shpresojnë që Kumbulla të vazhdojë në këtë mënyrë, për të pasur më shumë forca në mbrojtje ndërkohë që duket se ka pak shanse që klubi spanjoll të blejë kartonin e tij nga Roma. Kumbulla pat bërë një sezon shumë të mirë me Espanjolin vjet, por këtë sezon ka hasur në vështirësi të mëdha duke munguar në pjesën më të madhe të kampionatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb