Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e tra jnerit Silvinjo, ka pasur ulje-ngritjet e saj, megjithatë në një analizë të përgjithshme, vihet re një cikël i suksesshëm duke qenë se për herë të dytë kuqezinjtë shkuan në Europian dhe për pak, do të provonte të shkonte edhe në Botëror. Kombëtarja shqiptare po përjeton një periudhë stabiliteti dhe rritjeje, duke rritur pritshmëritë për të ardhmen.

Në qendër të këtij momenti, padyshim është trajneri Silvinjo, i cili ka arritur të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të organizuar. Megjithatë, shpesh herë ka pasur kritika dhe ende nuk është e qartë nëse ky sukses është vetëm meritë e trajnerit Silvinjo, apo thjesht braziliani ka ardhur te Shqipëria në kohën e duhur dhe ka një skuadër të mirë.

PUNA E SILVINJOS- Kur Silvinjo mori drejtimin e Kombëtares, Shqipëria ishte një skuadër që shpesh vuante nga oshilacionet dhe nuk kishte rezultate të mira. Ndryshimi i parë i dukshëm që ai solli ishte vendosja e rregullit dhe disiplinës taktike. Sot, Shqipëria është një ekip që di të mbrohet dhe të dalë shpejt, duke u kthyer në një ekip që ka një identitet në lojë. Linjat janë më të afërta, lëvizjet më të koordinuara dhe skuadra duket më e qartë në çdo fazë të lojës. Kjo nuk është rastësi, por produkt i një pune të vazhdueshme në stërvitje dhe i një filozofie të qartë. Një element tjetër kyç është menaxhimi i grupit. Silvinjo ka arritur të krijojë një ambient ku nuk ka vend për emra të paprekshëm pavarësisht se shpesh herë ka pasur polemika dhe kjo mund të shihet nga lojtarët që kanë marrë pjesë në kompeticione të ndryshme, nga Europiani, te Liga e Kombeve apo Botërori. Në kualifikueset e fundit të Botërorit, vetëm Letonia na shënoi një gol dhe Anglia që fitoi dy ndeshjet e saj, teksa asnjë nga skuadrat e tjera nuk ditën të gjenin rrugën e rrjetës.

LOJTARËT NGA ELITA- Nëse roli i trajnerit është i rëndësishëm, po aq vendimtar është edhe grupi i lojtarëve që ai ka në dispozicion. Dhe në këtë aspekt, Kombëtarja shqiptare ndodhet në një moment shumë të favorshëm. Në mbrojtje, Berat Gjimshiti është kthyer në një lider të padiskutueshëm te Atalanta, një skuadër që konkurron në nivele të larta në Itali dhe Europë. Siguria dhe eksperienca e tij reflektohen drejtpërdrejt edhe te Kombëtarja. Në krahun e djathtë, eksperienca e Elseid Hysaj te Lacio sjell stabilitet dhe qetësi në fazën mbrojtëse, por edhe mbështetje në sulm pavarësisht se te Lacio nuk ka minuta. Mesfusha ka fituar cilësi me elementë si Kristjan Asllani, pjesë e Interit por i huazuar te Beshiktashi, por edhe për lojtarë si Ramadani nga Leçe, apo Shehu e Laçi që janë liderë me klubet e tyre. Ndërkohë, në sulm, potenciali i Armando Broja, i lidhur me Çelsin herë pas here por edhe me klube të tjera në Angli, ofron shpejtësi dhe potencë, elementë që mund të bëjnë diferencën në ndeshje.

BASHKËPUNIMI- Silvinjo ka meritën që ka ndërtuar një strukturë funksionale, ka vendosur disiplinë dhe ka krijuar një identitet të qartë loje. Pa këtë organizim, edhe lojtarët më të mirë do ta kishin të vështirë të shfaqnin potencialin e tyre maksimal. Nga ana tjetër, cilësia individuale e futbollistëve është ajo që bën diferencën në momentet vendimtare, pasi një një pasim i saktë, një ndërhyrje vendimtare apo një gol ndryshon rrjedhën e ndeshjes. Tashmë mbetet të shihet nëse Silvinjo do ta vazhdojë këtë projekt me Shqipërinë, apo ka ardhur koha që palët të përshëndeten dhe të kërkojnë që të kenë fate të reja për të kërkuar objektiva të tjera, ku tashmë për Shqipërinë është Botërori, e ndoshta për Silvinjon një aventurë e re me klube.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb