Përfundon pas rreth 5 orësh protesta e 19-të masive në Tiranë, për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Marshimi masiv i qytetarëve, nisi përpara Kryeministrisë dhe u shtri drejt “Komunës e Parisit” dhe “Rrugës së Kosovarëve”, teksa arriti kulmin e tij me një unifikim thirrjesh që shënjestrojnë krerët më të lartë të politikës shqiptare, si kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD, Sali Berisha.
Në dritën e elektrikëve pranë zonës së Liqenit Artificial, mijëra protestues kanë shpërthyer në një kor të fuqishëm thirrjesh, duke kërkuar jo vetëm largimin e menjëhershëm të qeverisë, por edhe ndëshkimin penal të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Sali Berisha.
“Rama jep dorëheqjen!”, “Rama në burg!”, “Berisha në burg!”, janë thirrjet që po dëgjohen në mbarë lagjet ku po kalon turma masive.
Këto slogane reflektojnë edhe qëndrimet e mbajtura më herët gjatë tubimit nga folësit, të cilët deklaruan se qytetarët janë ngritur kundër një klike të korruptuar dhe se kërkojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë, pa dallime politike.
