Prindërit e Ilaria Sulës kanë rrëfyer në “Me Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores Evis Ahmeti periudhën e vështirë që po kalojnë dhe dëshpërimin që u ka mbushur shpirtin pas vrasjes të së bijës.

“Në familje time nuk ka më jetë. Djali im Leo më thotë: Babi të lutem ngriji një herë sytë nga pllakat, mos e mbaj kokën ulur. Ai nuk flet me asnjë, nuk e nxjerr dëshpërimin”, është shprehur babai.

Ai ka shtuar se kujtimi më i bukur në jetë është ai kur mori për herë të parë në duar të bijën, që kishte të njejtën datë lindje si ai.

“Unë jam bërë prind për herë të parë me Ilarian në ditën e ditëlindjes time, nuk besoj se ka dhuratë më të bukur. Ilaria dhe unë kemi lindur më 20 maj. Dhuratë më të bukur nuk besoj se ka. Të të vijë dikush e të ta marrë vajzën në atë mënyrë është e pa falshme. Unë këtë nuk e fal. Ilaria kishte ëndrra, po mundohej që të diplomohej, ishte një degë shumë e vështirë. Shtëpia ime, në çdo cep që shoh flet për Ilarian. Në çdo vend të shtëpisë është ajo dhe ne, katër pjesëtarë ishim në familje. Vitin që kaloi Ilaria tha donte të vinte në Shqipëri. Vjen dikush dhe ta rrëmben vajzën sikur e ka pronën e tij. Kjo nuk falet. Unë nuk fal ”, tha ai.

Ata kanë pasur edh një apel për rininë shqiptare dhe komentuesit në rrjetet sociale:

Një këshillë rinisë shqiptare. Mbase edhe gaboj që e them këtë fjalë, por respektoni njëri tjetrin sepse respekti është diçka shumë e madhe qoftë për djalin qoftë për vajzën. Respektoni personat që keni pranë. Ilaria e bëri, por nuk u vlerësua nga ai që kishte pranë. Ilaria tha jo, një jo që e pagoi shtrenjtë.

Komentuesit në rrjetet sociale, shihni shtëpinë tuaj jo timen. Shtëpisë time i dal vetë për zot. Apeli im është që për vajzën time jam krenare. Fati i keq që i ra ishte fatkeqësia e sime bije që e mbylli jetën aq shpejt, por ka plot si Ilaria që u ka ndodhur e njëjta gjë. Komentuesit të kenë kujdes, jepni mbështetje, thoni një fjalë të mirë. Shumë të rinj kanë ikur si ime bijë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb