Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në “Studio24”, ka folur për mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike, duke theksuar se gara dhe përplasjet e brendshme janë pjesë normale e një partie me parime demokratike dhe nuk duhet të konsiderohen si përçarje.

Salianji tha se statuti i PD-së dhe kultura demokratike e partive politike kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme, ku çdo kandidat duhet të përballet me votën.

“PD e ka përcaktuar me statut dhe kultura demokratike e do të kemi zgjedhje. Kur ka zgjedhje do ketë përplasje. Nuk mund të them se Sali Berisha ka rënë nga qielli dhe do dalim ne ta rrëzojmë. Ndaj është koncepti i mandatit”, u shpreh ai.

Ai përmendi gjithashtu premtimet e bëra nga lideri i PD-së, duke thënë se çdo drejtues politik duhet të mbajë përgjegjësi për angazhimet e tij para anëtarësisë.

“Berisha premtoi heqjen e Ramës, heqjen e non gratës, premtoi fitoren në zgjedhje, premtoi zgjedhjen e deputetëve nga anëtarësia”, tha Salianji.

Duke iu referuar debatit të brendshëm në PD, ai theksoi se dhënia e argumenteve politike nuk duhet të konsiderohet përçarje dhe se ai vetë është i gatshëm të tërhiqet nëse konsiderohet pengesë.

“Nuk është përçarje dhënia e argumenteve. Nëse shihet se po e pengoj unë ndryshimin, tërhiqem unë që tani”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb