Analisti Agim Baçi vlerëson se një garë e mundshme për kreun e PD në 23 maj, mes ish-deputetit Ervin Salianji dhe kryedemokratit Sali Berisha nuk do të ishte në favor të këtij të fundit, duke argumentuar se çdo rezultat do të përbënte një goditje për lidershipin aktual.
Në programin e drekës, në News24 me Daljana Sejdia, Baçi tha se ndryshe nga kandidatët e tjerë për kreun e PD që e kanë konsideruar Berishën si alternativë, Salianji e sfidon drejtpërdrejt, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë dhe aftësinë e tij për ta sjellë PD-në në pushtet.
Duke iu referuar zgjedhjeve në Hungari ku Viktor Orban u rrëzua pas 16 vitesh në pushtet, analisti nënvizon se suksesi i opozitës lidhet me krijimin e një alternative të besueshme. Ndërsa opozita shqiptare, theksoi ai, nuk perceptohet si e tillë, për shkak të figurave të konsumuara dhe premtimeve të pambajtura ndër vite.
Agim Baçi: Nuk është interesante nëse në garë Salianji e mund Berishën në këtë situatë që është PD. Kandidatët e tjerë nuk e kanë goditur Sali Berishën, por e kanë parë si alternativë. Salianji thotë se ai (Berisha) nuk është më i besueshëm, nuk është alternativë, është autokrat, nuk e sjell PD-në në pushtet, çdo lloj rezultati do të ishte një lloj goditje për Berishën, edhe 10%, pra 10-20% Berishën nuk e duan. Çfarë ishte leksioni hungarez? Thjesht vetëm një fjalë; kishte alternativë. Opozita sot në Shqipëri nuk shihet si alternativë. Ke barrën e së shkuarës, ato që ke premtuar nuk i ke mbajtur, ke non gratën, procesin ligjor, s’po themi se është fajtor, por kur nisin procese udhëheqësit dorëhiqen që të mos ngarkojnë forcën politike. Prandaj them që mungon fuqia që do të kishte opozita që të kthehej sot në një alternativë të besueshme përballë qeverisë, që t’i thotë të gjitha. Në konceptin e komunikimit nuk është çfarë thua, por kush e thotë. Shpesh herë lajmi është personi që e thotë. Krerët e partive në Hungari i kishin thënë akuzat ndaj Orban edhe në të kaluarën, por në momentin që erdhi Magyar që bëri komplet një situatë tjetër dhe i bëri bashkë, kemi atë që ndodhi…
