Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha, ka deklaruar se ddosja e AKSHI-t pritet të ketë pasoja të mëdha politike, duke përfshirë edhe qeverinë.
I ftuar në studion e News24, Hoxha komentoi sekuestrimet e kryera nga SPAK ndaj ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, ku bëhet fjalë për pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro.
Sipas tij, kjo shumë mund të jetë vetëm një pjesë e pasurive reale, duke shtuar se mund të ketë edhe prona të tjera që ende nuk janë zbuluar.
Hoxha akuzoi se bëhet fjalë për një skemë të organizuar, duke pretenduar përfshirje të zyrtarëve dhe strukturave të ndryshme, ndërsa e cilësoi situatën si një problem të thellë në qeverisje.
Ai theksoi se hetimi pritet të shkojë deri në fund, duke nënvizuar se, sipas tij, ekziston edhe mbështetje dhe presion ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të çështjes.
Hoxha u shpreh se kjo dosje mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta politike, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë.
“Lajm i mirë, vetëm kaq ka zbuluar, mund të jenë shumë e më shumë prona të tjera. Sepse siç e kemi theksuar edhe më parë si opozitë, ky është kopshti privat i Edi Ramës. Sepse çdokush që mund të hynte për një pronë publike rrëmbehej nga ky grup i strukturuar kriminal, bashkë me oficer të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm në këtë sektor. Besoj se kësaj çështjeje do i shkohet deri në fund, fal edhe presionit të ndërkombëtarëve, për ta çuar këtë dosje deri në fund, e cila natyrisht do marrë më vete edhe kryeministrin Edi Rama, si dhe qeverinë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë”, u shpreh ai.
