Bylisi është i përqendruar plotësisht te sfida e radhës në shtëpi ndaj Teutën. Një duel që në Ballsh e konsiderojnë të domosdoshëm për t’u fituar, jo vetëm për të ruajtur pozitat në renditje, por edhe për të rritur shpresat në betejën e mbijetesës që po bëhet gjithnjë e më e fortë.

Në seancën e djeshme stërvitore, trajneri Mirel Josa së bashku me stafin e tij kanë punuar intensivisht në aspektin tekniko-taktik, por edhe në atë psikologjik, duke qenë se skuadra krijon raste, por vuan në finalizim dhe sidomos qëndron larg portës në momentet vendimtare, një problem i evidentuar edhe në ndeshjet e fundit të kampionatit.

Mallakastriotët vijnë pas dy barazimesh dhe në këtë përballje kërkojnë me çdo kusht tre pikët, pasi gara për mbijetesë është më e hapur se kurrë. Në Ballsh, ajo që po shqetëson më shumë planet e Josës janë mungesat për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh, që kanë ndikuar në stabilitetin e skuadrës. Për të plotësuar grupin, trajneri ka aktivizuar edhe disa lojtarë nga U-19 dhe ekipi B, të cilët janë paraqitur mirë në stërvitje. Madje, Buraneli ka shënuar gol, ndërsa Emini ka dhënë asist, duke lënë përshtypje pozitive dhe duke shtuar opsionet për të ardhmen.

Megjithatë, lajmi pozitiv është rikthimi i disa elementëve të rëndësishëm si Përdreca dhe Adeduro, ndërsa nga pezullimi kthehet Sulovari, çka i jep më shumë frymëmarrje organikës së skuadrës dhe rrit mundësitë për alternativa më të mira për Josën. Ky i fundit shpreson të ketë gati edhe lojtarë të tjerë si Olavio, Fokam dhe Sanogo në fazën ofensive, si dhe Oforin, që mund të sjellin më shumë forcë në sulm.

Në një situatë kaq delikate dhe vendimtare të kampionatit, në Ballsh kanë nisur të bëjnë llogaritë e ndeshjeve të mbetura, ku objektivi është i qartë: të grumbullohen sa më shumë pikë të mundshme. Megjithatë, atmosfera në kampin ballshiot mbetet optimiste. Me dy ndeshje në shtëpi dhe dy në transfertë, 360 minutat e fundit të kampionatit pritet të jenë “flakë” për Bylisin në luftën për qëndrimin në elitë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: