Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar pas seancës së fundit gjyqësore, duke përcjellë qëndrimin e mbrojtjes përmes tri kërkesave kryesore: hapjen e provave, garantimin e kushteve dinjitoze për të pandehurin dhe transparencën e procesit.

“Hapni provat. Hapni kafazin. Hapni kamerat. Tri kërkesat e Erion Veliaj,” deklaroi Ndreca, duke theksuar se seanca e djeshme nuk ishte thjesht një zhvillim procedural, por “një pasqyrë e qartë e situatës dramatike në të cilën është mbërthyer drejtësia shqiptare”.

Sipas tij, mbrojtja kërkoi që në sallë të paraqiteshin 35 fashikuj me prova digjitale, të cilat “rezultojnë të pahapura dhe të konstatohej ky fakt në seancë: prova që nuk janë hapur, nuk janë parë dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake, megjithëse ajo ka marrë vendim mbi to”.

Ai shtoi se këto prova nuk janë vënë në dispozicion të mbrojtjes: “z. Veliaj jo vetëm që nuk i ka marrë, por nuk ka asnjë mundësi teknike të njihet me to”. Ndërkohë, sipas avokatit, reagimi i gjykatës ishte “tronditës”, pasi “e injoroi këtë fakt, e konsideroi të ezauruar kohën e mbrojtjes për njohjen me aktet, refuzoi çdo verifikim, nuk solli fashikujt, nuk konstatoi gjendjen e tyre dhe, ndërkohë, as vetë nuk i ka hapur dhe nuk është njohur me to”.

Në vijim, Ndreca e cilësoi si absurd pranimin e gjykimit të shkurtuar për një pjesë të të pandehurve, “në një kohë kur një pjesë e tyre janë të pahapura dhe të pashqyrtuara edhe nga vetë gjykata”, duke ngritur pyetjen: “mbi çfarë baze u vlerësua se çështja mund të zgjidhet ‘në gjendjen që janë aktet’, kur vetë aktet nuk janë hapur?”

Ai shtoi se kjo situatë krijon bindjen për një vendimmarrje të paracaktuar, duke përmendur edhe qëndrimin e prokurorëve, të cilët sipas tij kishin paralajmëruar se kërkesat e mbrojtjes do të trajtoheshin në një proces tjetër.

Ndër të tjera, avokati denoncoi refuzimin për transmetimin e seancës, “në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe refuzimin për të garantuar kushte të barabarta për Veliajn, përfshirë kërkesën për eliminimin e qëndrimit në kafazin e xhamit, e cila sipas tij u trajtua “në mënyrë cinike dhe arrogante nga akuza”.

“Seanca e djeshme nuk ishte thjesht një diferencë qëndrimesh proceduriale, por një kontrast i fortë midis një mbrojtjeje që kërkon standarde, profesionalizëm dhe përgjegjësi dhe një procesi që i shmang standardet, Kushtetutën dhe ligjin,” u shpreh Ndreca.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb