I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Shemsi Prençi ka ngritur dyshime lidhur me vrasjen e ndodhur disa ditë më parë ku u vranë ndërsa lëviznin me automjet, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, burrë e grua në Balldren të Lezhës.

Gjatë intervistës, Prençi shtroi pyetjen se si ka mundësi që drejtësia nuk kishte të dhëna për shtëpinë e vrasësit, por kishte djali i Mhillit?!

Gjithashtu ai shpjegon edhe mënyrën se si kanë vepruar autorët, duke thënë se për t’u bindur për arritjen e ekzekutimit përfundimtar, i kanë edhe përpara.

“Unë nuk e them dot që e vrau gjakmarrja…Nuk kemi një vendim të Apelit në disfavor të Kreshnikut. Organet e hetimit i kanë mbyllur hetimet dhe i kanë paraqitur për hetimin gjyqësor, atje ku dokumentohen dhe shterohen të gjitha provat që ka organi i akuzës dhe pala mbrojtëse. Pra unë kam të drejtën të bëj pyetjen publike, nëse organet e specializuara ligjzbatuese në Shqipëri nuk kanë arritur në konkluzionin se Kreshniku ishte personi që ka vrarë në 2016, si ka mundësi që djali i Gencit dhe djemtë e vëllezërve të Gencit , kushërinjtë e përcaktuan Kreshnikun si vrasës dhe i dalin në një atentat pas 10 vitesh. Të mos harrojmë që është vrarë një grua dhe janë lënë 4 fëmijë jetim. Por po ti referohemi kanunit dhe aktakuzave që sot disa organe shtetërore thonë është bërë për hakmarrje apo gjakmarrje, lind pyetje, djemtë e Kreshnikut ndaj kujt do qëllojnë nesër? Të mos e përdhosim kanunin. Por duhet thënë se nëse nuk bindesh dhe nuk ke prova se Kreshnik Mujeci ka qëlluar mbi Genc Mëhillin atëherë si do shkojmë, ndoshta vriten njerëz që nuk janë të përfshirë…Duhet thënë edhe kjo, se ai që të vret për gjak të çon fjalë. Unë nuk di që familjes Mujeci t’i ketë çuar fjalë njeri ‘të kam vrarë për babën’. Ndaj them se nuk mund të vritet në emër të kanunit, kur nuk e ke respektuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me vrasës të trajnuar për mënyrën se si qëlluan mbi makinë. Përjashtohet se nuk është bërë nga vrasës me pagesë sepse nuk është bërë përpjekje për të humbur gjurmët. Por as nuk kemi nga ta burra që të çojnë fjalë që të kam vrarë në emër të hakmarrjes. Pas dorezës së derës së shoferit nuk ka asnjë plumb. Për t’u bindur për arritjen e ekzekutimit përfundimtar, i kanë edhe përpara dhe kanë qëlluar pjesën më të madhe të plumbave te shoferi dhe një plumb te pasagjeri”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: