Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Enkelejd Alibeaj foli për zhvillimet politike, duke analizuar edhe situatën në Partinë Demokratike.
Gjatë intervistës, ai argumentoi edhe disa nga arsyet përse nuk është më pranë Sali Berisha, dhe cila ishte çështja ku edhe u ndanë qëndrimet e tyre, duke thënë se një prej tyre ishte goditja që kreu i PD i bënte drejtësisë.
“Kam qenë pranë me Sali Berishën. S’jam më, për disa arsye, njëra prej të cilave ishte fakti që u bë pjesë e jo goditjes, por një procedimi penal prej drejtësisë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe për arsye të tjera, në fakt, ndarje që kanë ndodhur me të. Nuk e kam fare këtë dilemë, sigurisht i njëjti standard. Për faktin se një gjë mund t’ua them unë edhe për shkak të përvojës profesionale. Ju thashë që kam qenë dikur edhe operator i drejtësisë. Asnjëherë nuk ka ndodhur, të paktën deri më tani, që të jenë filluar procedime penale në drejtësinë aktuale, po të doni ju, dhe në drejtësinë e dikurshme, pa një motiv, pa një shkas a fakt.
Atij mikut, kolegut tim të afërt, do t’i thosha këtë gjë: Kur ke vendosur të shkelësh ligjin, nuk më pyete, nuk më more një këshillë. E për sa kohë e ke zgjedhur vetë ta shkelësh ligjin, do përballesh vetë me ligjin dhe me drejtësinë. I kam thënë këtë gjë që ti nuk na sjell, e konsideroja edhe veten pjesë të PD-së, nuk na sjell më në pushtet. Ia thashë ditën kur është dhënë vendimi nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen e vulës, e fitoi Berisha në atë kohë, çështja e Zhukrit, dhe kur erdhi në një mënyrë triumfatore në zyrë, në selinë e Partisë Demokratike, kam qenë aty së bashku edhe me kolegun Agaliu, kështu që kemi dhe dëshmitarë për të, dhe bashkë edhe me një koleg tjetër.
Këtë i kam thënë.”, theksoi ai.
