Kreu i PD Sali Berisha, e ka quajtur ish-deputetin Ervin Salianji si të vetë përjashtuar nga partia, ndërsa ka akuzuar se ai ka drejtuar me Suel Çelën dhe komponentë të krimit.

Enkelejd Alibeaj, i ftuar në “Kjo javë” me Nisida Tufën ka deklaruar se një akuzë e tillë është një fyerje për demokratët, nëse mund të mendohet qe nuk kanë kapacitetin të ndajnë se kujt duhet t’ia japin votën atij që duhet të drejtojë PD-në.

Ai ka evidentuar një detaj interesant, që është agresiviteti i Berishës pas shpalljes së kandidaturës së Salianjit, gjë që nuk ka ndodhur me të tjerët.

“Me rregullat e tyre ka të gjithë të drejtën për të kandiduar, pa asnjë lloj pengese.
Madje dhe më shumë se të tjerët, qoftë edhe për faktin, sepse si figurë politike është më shumë. Ka më tepër zë, ka pasur më tepër zë, ka bërë më tepër edhe kontribut.
Por dhe jo vetëm kaq, por edhe për faktin tjetër që për shkak edhe të vlerësimeve që Sali Berisha ka bërë dikur për çështjen që i ndodhi, për çështjen penale, për dënimin duke e quajtur si një dënim politik, sigurisht nuk e mendoja, me thënë të drejtën, që do të kishte, po themi, ndonjë pengesë.
Mendoja diçka tjetër.
Vlerësimi im për Ervin Salianjin është tjetër gjë, me thënë të drejtën, se ka ardhur në një pozicion kur dikur ishte, kur ishim të gjithë bashkë në atë kohë, bëri kapërcimin e madh, shkoi tek Sali Berisha, çështja e tij, me thënë të drejtën, për të cilën s’kam qenë dakord, por kjo është tjetër histori.
Por nga momenti që filloi këtë lloj lëvizje, filloi si lëvizje, kur fillon të nxjerrë disa teza që kanë interes publik edhe për Partinë Demokratike, vura re një gjë shumë interesante:
agresivitetin e reagimit të Sali Berishës dhe të enturazhit të tij, i pandodhur më parë.

Nuk ka ndodhur kurrësesi të ishte kaq agresiv Sali Berisha kundër një kandidature. Madje dikur, ju e mbani mend, s’dilte njeri kur ishte në krye të Partisë Demokratike.
Se e dinin që do fitonte gjithmonë ai. Sajoheshin madje edhe kandidatë fake.
Fakti që në këtë situatë, edhe për një lëvizje embrionale që ishte ajo para dy-tre muajsh, ajo e zotit Salianji ishte embrional. Disa e interpretuan, madje mund të ketë qenë, unë nuk e di, edhe si një lloj qejfmetje. Por nga momenti që unë pashë një lloj reagimi agresiv të Berishës, momenti që u quajt ai përjashtimi, vetë përjashtimi. Momenti i dytë, të lidhur me bandat.
Nuk mund të kualifikojmë një kandidat si Salianji, sepse ata presupozojnë, thonë që është i lidhur me bandat.
Pyetja që kam unë, ç’po thonë? Pra, këta besojnë që në qoftë se do të jetë Ervin Saliani në garë, pra po themi një kandidat i Suel Çelës apo i bandave, demokratët, mbështetësit e tyre, e paskan më mirë të votojnë, janë kaq të painformuar, janë kaq të paditur, janë kaq të verbër, janë kaq të dëshpëruar sa të votojnë Suel Çelën dhe jo Sali Berishën? Kjo do të ishte një fyerje e inteligjencës së të gjithë masës së madhe të atyre mbështetësve. Pra, shikoni se sa e dobët është si alibi, si justifikim apo si përpjekje”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb