Qeveria e Etiopisë dhe autoritetet e rajonit verior të Tigrayt kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e ofensivave ushtarake, duke rritur frikën për rikthimin e një konflikti të gjerë në vend.

Getacheu Reda, këshilltar i kryeministrit etiopian Abiy Ahmed dhe ministër në qeverinë federale, deklaroi se luftëtarë nga Tigray kanë marrë nën kontroll aeroportet e administruara nga qeveria qendrore në këtë rajon dhe kanë nisur sulme në rajonet fqinje Afar dhe Amhara.

Nga ana tjetër, autoritetet e Tigrayt kanë deklaruar se forcat e tyre janë detyruar të hyjnë në një “luftë mbrojtëse”, pas raportimeve për sulme me dronë në territorin e rajonit.

Lufta dyvjeçare në Tigray përfundoi në vitin 2022 me një marrëveshje paqeje, por gjatë muajve të fundit palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkeljen e saj. Konflikti ishte ndër më vdekjeprurësit e këtij shekulli, ndërsa ndërmjetësi i Bashkimit Afrikan vlerësoi se rreth 600 mijë njerëz humbën jetën gjatë luftimeve.

Të dielën, Fronti Popullor për Çlirimin e Tigray (TPLF), partia që kontrollon rajonin, njoftoi krijimin e një aleance me gjashtë grupe të tjera të armatosura në Etiopi, me synim rrëzimin e qeverisë në Addis Abeba.

Pas marrjes së kontrollit të aeroporteve, Ethiopian Airlines anuloi të gjitha fluturimet drejt Tigrayt. Banorë të Mekelles, qytetit kryesor të rajonit, i thanë BBC-së se forcat lokale morën kontrollin e aeroportit të qytetit nga policia kombëtare gjatë orëve të para të së mërkurës.

Tensionet janë shtuar pas raportimeve për sulme me dronë në Tigray. Të martën, një sulm në qytetin Alamata, në jug të rajonit, la të paktën 14 persona të vrarë dhe 22 të plagosur, sipas autoriteteve të Tigrayt.

Kryebashkiaku i Alamatës, Mogos Shiferau, tha se më shumë se pesë dronë dhe një avion luftarak kryen mbi 21 goditje, duke nisur rreth orës 03:30. Sipas tij, viktimat ishin civilë dhe sulmet prekën edhe dy shkolla të mesme.

Megjithatë, BBC thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa qeveria etiopiane nuk ka komentuar mbi sulmet e raportuara.

Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Mahmoud Ali Youssouf, ka bërë thirrje për “de-përshkallëzim të menjëhershëm” dhe rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.

Ndërkohë, autoritetet e Tigrayt kanë akuzuar Addis Abebën për nisjen e një “pushtimi të hapur” të rajonit, duke u bërë thirrje banorëve të mbështesin forcat rajonale dhe të ruajnë unitetin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: