Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy vogëlushëve që humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Durrës, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te siguria rrugore, veçanërisht në zonat e banuara.
“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryeparlamentarja Klodjana Spahiu, ndërsa disa deputetë nuk i mbajtën dot lotët gjatë homazhit.
Aksidenti i rëndë ndodhi një ditë më parë, rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrës, e njohur si ish-Këneta. Sipas informacioneve paraprake, tre fëmijë po luanin në trotuar kur një automjet tip “Benz ML”, që dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë, doli nga kontrolli dhe i përplasi.
Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Një tjetër i mitur mbeti i plagosur dhe po merr trajtim në Spitali i Traumës në Tiranë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende publike në detaje.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, përplasja ka qenë me intensitet të lartë, aq sa njërit prej fëmijëve automjeti i ka kaluar sipër. Pas aksidentit, mjeti është përplasur edhe me një automjet tjetër të parkuar në zonë.
Drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, është arrestuar nga policia dhe dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Ngjarja merr një dimension edhe më të rëndë për shkak të rrethanave familjare të njërës prej viktimave. Klersi Nikolli jetonte pa prindërit, të cilët ndodheshin në Itali, ku babai i tij po kurohej nga një sëmundje e rëndë.
