Trajneri i Tiranës, Orges Shehi dha mendimin e tij për ndeshjen e radhës në kampionat me Vllazninë.
“Përballë nesër kemi një kundërshtar, që do respekt për historinë dhe renditjen ku është. Jemi munduar të rikuperojmë lojtarët nga ndonjë dëmtim nga ndeshja e fundit. Dihet vlerësimi dhe përqëndrimi, sepse edhe dy ndeshje kanë mbetur. Duam të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Klasifikimi është në atë mënyrë, që shumë skuadra janë në “valle”, katër me pikë të barabarta dhe Flamurtari që ka një ecuri të mirë.
Kjo e rrit shkallën e vështirësisë, por ne shohim punën tonë dhe nuk merremi me kundërshtarin. Shpresoj që edhe nesër të jemi në këtë rrugë. Në 7 takime kemi marrë thuajse maksimumin dhe shpresonim të ishim në një situatë më komode. Por, ashtu siç marrim ne pikë, edhe kundërshtarët tanë fitojnë. Gabimi nuk falet, e tillë është renditja.
Nuk kam nevojë të thërras tifozë sepse ata kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe të shumtë në numër. Jam i sigurt se nesër do të jenë në stadium për ta mbështetur skuadrën, janë një “armë” shumë e forte.
Kur fillojmë bëjmë llogaritë, gjithmonë na dalin gabim. Kështu thamë edhe kur fituam derbin, edhe kur fituam me Teutën, por kur shohim që kundërshtarët kanë fituar, distanca ka mbetur siç është. Përqëndrimi është vetëm te sfida jonë, pastaj do të shohim të tjerat. Luajmë në të njëjtin orar dhe shpresojmë që kundërshtarët të ndalojnë.
Nuk kam asnjë interes dhe dëshirë të komentoj skuadrat e tjera, merrem vetëm me timen. Aleanca? Mendoj që kemi bërë ndeshje shumë të vështira dhe kemi pasur përballë kundërshtarë me cilësi dhe objektiva. Aleanca jonë e vetme është vetëm performaca jonë e mirë dhe shpresoj që fusha të flasë për ne nesër.
Xhixha? Sot do të marrim konfirmimin përfundimtar, dje dhe pardje nuk është stërvitur. Do të jetë pjesë e skuadrës, por nuk e di nëse do ta nisë apo jo, këtë e shohin mjekët”.
