Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Ilir Meta thekson Parlamenti Europian ngriti alarmin lidhur me përshkallëzimin e situatës së korrupsionit në Shqipëri.
Gjithashtu Meta u ndal edhe te situata e lirisë së medias në vend, duke shtuar se përkeqësimi i lirisë së medias, deri në një klimë armiqësore ndaj gazetarëve të pavarur, siç konfirmoi edhe raporti i “Reporterëve pa Kufij”, është një tjetër këmbanë alarmi.
REAGIMI:
Parlamenti Europian, siç pritej, ka ngritur alarmin për përshkallëzimin shqetësues të korrupsionit në Shqipëri, referuar përkeqësimit me 11 vende në renditjen e Transparency International.
Duke denoncuar farsën e zgjedhjeve dhe instalimin e partisë-shtet, rezoluta konfirmon njëherazi dështimin në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes, si dhe pengimin e qëllimshëm të saj.
PE bën thirrje për zhbërjen e ligjeve me porosi për grabitjen e pronave dhe aseteve publike, si dhe denoncon vjedhjen qeveritare të fondeve IPARD për bujqësinë, duke kërkuar kthimin e parave të grabitura taksapaguesve europianë dhe fermerëve shqiptarë.
Përkeqësimi i lirisë së medias, deri në një klimë armiqësore ndaj gazetarëve të pavarur, siç konfirmoi edhe raporti i “Reporterëve pa Kufij”, është një tjetër këmbanë alarmi.
Parlamenti Europian denoncon “Ballkanin e Hapur” të promovuar për vite nga Edi Rama, si vizion i ri, pa konsultim me asnjë institucion vendas dhe europian. Deklarimet e sinqerta të Aleksandër Vuçiç, në podkastin e Alistair Campbell, ku pohoi atë që e dinim të gjithë se “Ballkani i Hapur” ishte një ide e tij, konfirmojnë natyrshëm se Edi Rama ishte thjesht një ndjekës i këtij projekti, që nuk dallon shumë nga projekti i “botës serbe” apo “Jugosllavisë së re”.
Ashtu siç dështoi “Ishulli i Osumit” i lançuar nga Edi Rama por që nuk ekziston asgjëkundi, dështoi edhe “Ballkani i Hapur”, por me një ndryshim, falimentoi bujqësinë shqiptare falë politikave diskriminuese ndaj fermerëve tanë dhe atyre favorizuese të importit që ndërmorri Edi Rama.
Partia e Lirisë, me kontribut të veçantë ndër vite, në procesin e integrimit europian të vendit, rikonfirmon angazhimin e palëkundur për avancimin e tij.
Ne mbështesim me vendosmëri këtë proces, por duke theksuar se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen sa më parë, në mënyrë cilësore dhe të qëndrueshme, për t’u shërbyer së pari krijimit të një standardi europian për jetesën e qytetarëve shqiptarë.
