Adelina Farici nga shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, foli për Reformën Territoriale dhe dëgjesa që janë bërë në disa bashki.

Gjatë intervistës, Farici i vlerësoi si pozitive takimet e zhvilluara duke u shprehur se për herë të parë dy bashkëkryetarë që përfaqësojnë dy forca të mëdha politike në vend, shkojnë në dëgjesë të përbashkët.

“Ajo që ne po kërkojmë , një rishikim i një reforme që ishte e njëanshme sepse nuk kishte pjesëmarrjen e gjithë-përfshirjen politike. Jemi në një moment që është herë e parë që shkojnë dy bashkëkryetarë që përfaqësojnë dy forca të mëdha politike në dëgjesë të përbashkët dhe mendoj që përpara opinionit publik nuk ka diferenca mes bashkëkryetarëve. Për herë të parë kemi përfaqësim të barabartë që po dëgjohen qytetarët. Ky është një sinjal pozitiv. Edhe unë e kam vënë re që deformohet qëllimi i dëgjesave, por është e pamundur të shmangësh ndikimin politik tek qytetarët. Është një dëgjesë e hapur dhe do ketë po ashtu gjithë-përfshirje”, tha ajo.

Më tej gjatë intervistës u shpreh se problematikën më shumë e sheh tek pjesë administrative.

“Ajo që evidentoj tek qytetarët, është se kërkesat e tyre janë në koherencë të plotë edhe me kërkesat e niveleve të qeverisë lokale. Kompetencat nuk janë të plota, janë të nën-financuara, granti duhet t’i afrohet rajonit. Pra kërkesat janë thuasje të njëjta nëse zhvishen nga pjesa politike. Pra përpara se të themi Reformë Territoriale, mendoj që problematika qëndron më shumë tek pjesa administrative më shumë se tek problematika e territorit. Kjo shpjegohet se kemi një set kompetencash. Bashkitë kanë 41 funksione dhe nëse do i marrim me radhë a ofrohen këto funksione? A kemi ne standarde minimale kombëtare për këto funksione? Pra ka rëndësi të bëhet një analizë e tillë dhe a janë parashikuar financat e nevojshme?”, tha më tej ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: