Bylisi duhet të presë edhe 90 minuta për të mësuar fatin e mbijetesës. Në javën e fundit, ballshiotët luajnë një “finale” të vërtetë ndaj Vorës, një prej rivalëve direkt në garën për qëndrimin në Superiore.bylisFitorja ndaj Elbasanit i ka rritur shpresat e skuadrës, e cila për momentin ndodhet jashtë “zonës së ftohtë”, por ende pa asgjë të sigurt. Mbijetesa mbetet një ekuacion me shumë të panjohura, ndaj në Ballsh e dinë mirë se vetëm një rezultat pozitiv në transfertën e fundit mund t’i mbajë në garë.
Në lojë është edhe barazimi, por gjithçka do të varet edhe nga rezultatet e rivalëve si Teuta dhe Tirana në ndeshjet e tyre. Në skenarët e mundshëm mund të hyjë edhe golaverazhi. Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij kanë kërkuar nga skuadra qetësi dhe përqendrim maksimal, duke e zhvendosur vëmendjen vetëm te ndeshja vendimtare e sezonit.
Për më tepër, klubi ballshiot ka edhe një tjetër “finale” në fundjavë me ekipin B, që përballet me Kukësin në një sfidë që vendos ngjitjen ose rënien nga kategoria, duke e bërë fundjavën vendimtare për gjithë klubin. Ironikisht, edhe kjo ndeshje luhet në stadiumin e Vorës, po atë vend ku të dielën zbret në fushë skuadra e parë e Bylisit.
Një detaj që e bën edhe më simbolike këtë fundsezoni të tensionuar. Bylisi e ka fatin në dorë, por i duhet patjetër një rezultat pozitiv për të siguruar mbijetesën. Ajo që jep shpresë është fakti se në transfertën vendimtare do të jenë me grup të plotë.
Kujtojmë se edhe një sezon më parë, mallakastriotët arritën të mbijetonin në javën e fundit, duke shmangur “play out” pas një fitoreje të rëndësishme në Korçë. Josa po mundohet ta mbajë skuadrën larg presionit, ndërsa në Ballsh priten me ankth 90 minutat e fundit që do të vendosin gjithçka për fatin e sezonit.
