Tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit vazhdojnë të përshkallëzohen, ndërsa autoritetet libaneze raportuan se të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë të vogël, u vranë nga sulmet e reja izraelite në jug të Libanit.

Sipas agjencisë zyrtare libaneze ANI, ushtria izraelite kishte urdhëruar më herët evakuimin e banorëve nga nëntë komunitete në jug të vendit, duke paralajmëruar bombardime të afërta, pavarësisht armëpushimit që teorikisht është në fuqi që prej 17 prillit.

Avionët izraelitë bombarduan disa nga zonat e përmendura në paralajmërim, por sulme ajrore dhe granatime u raportuan edhe në rajone të tjera ku nuk ishte dhënë asnjë njoftim paraprak.

Në zonën e Saksakiyas, Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi shtatë viktima, mes tyre një vajzë e vogël, si dhe 15 të plagosur, përfshirë tre fëmijë.

Një tjetër incident i rëndë ndodhi në Nabatiya, ku një dron izraelit goditi një motoçikletë me një shtetas sirian dhe vajzën e tij 12-vjeçare. Sipas autoriteteve libaneze, droni e goditi objektivin disa herë, duke vrarë babanë dhe plagosur rëndë vajzën, e cila iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.

Ministria libaneze e Shëndetësisë e cilësoi sulmin si “barbar” dhe akuzoi Izraelin për “bombardim të qëllimshëm të civilëve dhe fëmijëve”.

Ndërkohë, ANI raportoi edhe për tre sulme ajrore izraelite në Beirut, ku sulmet kanë qenë sporadike që nga shpallja e armëpushimit.

Më vonë, autoritetet njoftuan se një tjetër person u vra dhe 13 të tjerë u plagosën, përfshirë gjashtë fëmijë dhe dy gra, në një sulm izraelit në qytetin Bengazi.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb