Aktori britanik Michael Pennington, i njohur për rolin e tij në filmin legjendar Return of the Jedi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Pennington interpretoi personazhin e Moff Jerjerrod, zyrtarin ushtarak që mbikëqyrte ndërtimin e “Yllit të dytë të Vdekjes” në sagën e famshme Star Wars të krijuar nga George Lucas.

Përveç suksesit në kinematografinë fantastiko-shkencore, ai ishte një nga interpretuesit më të vlerësuar të veprave të William Shakespeare. Pennington iu bashkua Royal Shakespeare Company menjëherë pas diplomimit në Trinity College Cambridge në vitin 1964. Karriera e tij teatrore kulmoi me interpretimin e Hamletit në vitin 1980, rol për të cilin mori vlerësime të shumta nga kritika. Drejtori i njohur i teatrit, John Barton, e kishte cilësuar Penningtonin si “një aktor të jashtëzakonshëm”.

Aktori britanik pati gjithashtu role të rëndësishme në televizion dhe kinema. Në vitin 2011 ai interpretoi ish-liderin laburist Michael Foot në filmin biografik The Iron Lady, ku luajti përkrah aktores Meryl Streep.

Ndër rolet e tjera të njohura ishte edhe interpretimi i Laertit në adaptimin filmik të Hamlet nga Tony Richardson, si dhe pjesëmarrja në produksione televizive si The Return of Sherlock Holmes.

Pennington ishte edhe shkrimtar, duke botuar libra mbi veprat e Shakespeare-it dhe udhëtime, përfshirë “Rossya: Një udhëtim nëpër Siberi”. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta në botën e artit. Aktorja Miriam Margolyes, e njohur edhe për rolin në Harry Potter, i bëri homazh në rrjetet sociale. “Michael Pennington ka vdekur. Një mik i vjetër nga Kembrixhi, një aktor brilant dhe i mençur. Jam thellësisht e trishtuar”, shkroi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb