Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin “Luarasi” organizoi simpoziumin shkencor “Drejtësia midis traditës dhe modernitetit: nga Kanuni tek Inteligjenca Artificiale”, në kuadër të Ditës së Drejtësisë. Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Prof. Asoc. Dr. Admir Belishta solli rrugëtimin e së drejtës në Shqipëri dhe transformimet që ka pësuar gjatë vazhdës historike.

Rektori i Universitetit “Luarasi”, Maksim Haxhia u ndal te Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe e cilësoi të drejtën zakonore si filozofi të rregullimit të jetës njerëzore, duke u ndalur te virtyti i shqiptarëve- BESA, përmes së cilës fjala kishte forcën e imponuar të ligjit.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha u ndal tek Inteligjenca Artificiale, duke thënë se teknologjia dhe algoritmet duhet të jetë një instrument në funksion të drejtësisë, ku vuri theksin te barazia dhe transparenca.

Teksa përgëzoi Universitetin “Luarasi” për nxitjen e mendimit kritik dhe debatit juridik përmes simpoziumeve shkencore, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Dorina Hoxha tha se universitetet kanë përgjegjësi të madhe në përcjelljen e koncepteve të së drejtës te juristët e së nesërmes që janë përballë transformimit të vrullshëm digjital.

Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilir Mandro tha se drejtësia nuk duhet të mbetet peng e së kaluarës kanunore, por duhet të shërbejë si urë lidhëse mes kulturës, traditës dhe reformës.

Punimet e këtij simpoziumi shkencor u përshëndetën edhe nga Presidentja e Universitetit “Luarasi”, Znj. Fabiola Hysenbelliu, ndërsa morën pjesë me kumtesat e tyre pedagogë e juristë nga universitete të ndryshme të vendit, të cilët drejtuan pyetje ndaj kolegëve të tyre, duke dëshmuar kështu se Universiteti “Luarasi” mbetet lider i ekselencës dhe inovacionit në arsimin e lartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb