Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar qeverinë në Kuvend se ka miratuar një paketë prej pesë ligjesh klienteliste që, sipas saj, favorizojnë oligarkët dhe cenojnë pronën publike e private.

Zhupa deklaroi se ligje si ai i Investimeve Strategjike, Zonave të Mbrojtura, “Paketa e Maleve”, portet turistike dhe Koorporata e Investimeve Shqiptare janë në kundërshtim me direktivat europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Fjala në Kuvend
Në BE nuk futesh sepse hap kapitujt, por futesh duke mbyllur gropën e korrupsionit, për të cilën ju punoni çdo ditë që ta thelloni në mënyrë të pandalshme.

Ky Parlament ka miratuar, si në asnjë vend të BE-së, dhe kundër çdo direktive, kundër MSA-së, kundër Kartës Europiane, 5 ligje klienteliste me porosi, që përbëjnë paketën e gllabërimit të pronës publike dhe private.

5 ligjet janë:

Ligji i Investimeve Strategjike, që dhuronte tokat publike në bregdetin shqiptar te oligarkët, bashkë me lehtësira të tjera.

Ligji i Zonave të Mbrojtura, që hiqte çdo mbrojtje në këto zona për të ndërtuar edhe aty pa asnjë ndalesë, për të dhuruar pasurinë kombëtare. Siç janë futur sot fadromat në Pishë Poro. Një ligj që BE-ja thotë specifikisht të shfuqizohet.

Ligji “Paketa e Maleve”, për të dhuruar edhe pronën private të atyre që janë të pamundur, që ai që ka para, përveçse të gllabërojë pronën publike, të marrë edhe atë private.

Ligji i porteve turistike, ku oligarkët, veç tokave, të kenë edhe portet e tyre private pa konkurrencë.

Dhe ligji i Korporatës së Investimeve Shqiptare, që prona shtetërore në Tiranë e kudo të jepet për kulla, siç pritet të ndodhë me Pallatin e Brigadave dhe Pallatin e Kongreseve.

Kjo paketë prej 5 ligjesh anti-pronë tregon qartësisht që jeni qeveria më anti-europiane që ka pasur vendi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: