Analisti Ben Andoni, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe perspektivën e integrimit europian, duke theksuar se Brukseli vlerëson përparimin teknik të vendit, por mbetet kritik ndaj zbatimit të reformave dhe gjendjes së drejtësisë.

Sipas Andonit, qeveria shqiptare ka kuptuar rëndësinë e burokracisë teknike që kërkon Bashkimi Evropian në procesin e integrimit.

“Në atë që thotë BE, është burokracia teknike dhe Rama me stafin e tij e ka kuptuar këtë”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se situata e favorshme për Shqipërinë mund të mos zgjasë përgjithmonë, pasi Bashkimi Europian sheh me shqetësim realitetin e sistemit të drejtësisë në vend.

“150 mijë dosje flenë në drejtësinë tonë dhe gjithë pesha e asaj që dëgjojmë janë gjyqet ndaj figurave politike. Janë qindra mijëra dosje që presin”, tha ai.

Sipas Andonit, Brukseli e vlerëson anën teknike dhe njohjen e ligjeve nga administrata shqiptare, por problem mbetet zbatimi konkret i reformave.

“BE do zbatimin. Zbatimi janë dosjet stok në gjykata, çështjet që nuk shkojnë si duhet në procese gjyqësore dhe korrupsioni i frikshëm që ekziston”, përfundoi analisti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb