Juristi dhe përfaqësuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Ervis Çela, ka folur lidhur me domosdoshmërinë e një reforme të re zgjedhore, duke ngritur theksin te sfidat me listat e hapura dhe te sistemi aktual që sipas tij mban peng politikën shqiptare prej dekadash.

Gjatë fjalës së tij, Çela argumentoi se sistemi i tanishëm elektoral thellon pabarazinë e votës. Ai solli si shembull absurditetin e kodit aktual zgjedhor ku, sipas tij, me rreth 65,000 vota një subjekt arrin të prodhojë vetëm 1 mandat, ndërsa një parti tjetër me po të njëjtin numër votash arrin të prodhojë plot 7 deputetë. Për të zgjidhur këto ngërçe dhe për një përfaqësim më të drejtë, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka propozuar vazhdimisht miratimin e listave të hapura, proporcionalin kombëtar si dhe garantimin e votës së diasporës.

Duke u ndalur te riciklimi i vazhdueshëm i politikanëve, Çela deklaroi se sistemi hibrid mbron “kastën e vjetër politike”. Ai u shpreh se në Shqipëri kemi po të njëjtat figura prej 35 vitesh në skakierën politike, dhe kjo ndodh pikërisht falë “mburojës” që u bëjnë listat e mbyllura.

“Të gjithë këta politikanë të vjetër, të cilët në opinionin shoqëror e kanë kryer tashmë misionin e tyre… e vendosën veten në listat e mbyllura. Pavarësisht mbështetjes që kanë sot, ata siguruan vendin e tyre për të qenë sërish në parlament,” theksoi përfaqësuesi i lëvizjes.

Një tjetër problematikë e ngritur nga juristi ishte mosnumërimi i votave për kandidatët e privilegjuar nga partia. Ky fenomen ka prodhuar pasoja ku kandidatë që morën mbi 15,000 vota personale në listat e hapura mbetën jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që u futën figura pa mbështetje reale popullore.

Në përfundim, ai nënvizoi se ky mekanizëm bën që kryetarët të përcaktojnë deputetët, duke bërë që të zgjedhurit t’i shërbejnë vetëm atij dhe jo qytetarit. Sipas Çelës, një deputet i listës së mbyllur nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale karshi votuesve, pasi ai është thjesht atje si “vullnet i kryetarit”, pa pasur asnjë zonë të vetën zgjedhore për të ndjekur apo përfaqësuar problematikat e qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb