Pr. Dr. Irakli Koçollari ishte i ftuar në programin e drekës në News24, ku foli për konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Luarasi me temë “Drejtësia midis traditës dhe modernitetit”.
Gjatë intervistës, Koçollari theksoi se Universiteti Luarasi organizon në mënyrë periodike konferenca shkencore dhe aktivitete akademike të nivelit të lartë, me synimin për të qenë në koherencë me zhvillimet e shpejta globale në fushën juridike, ekonomike dhe teknologjike.
“Luarasi organizon në mënyrë periodike konferenca të tilla shkencore dhe cilësore për të ecur me hapin e kohës. Kjo botë ka dinamika marramendëse, ndryshime të shpejta në fushat ekonomike, politike, shkencore e teknologjike dhe këto shoqërohen me ndryshime ligjore”, u shpreh Koçollari.
Sipas tij, Universiteti Luarasi është shndërruar në një qendër të rëndësishme të kërkimit shkencor, duke sjellë referate dhe analiza nga personalitete shqiptare dhe të huaja të fushës së drejtësisë.
Koçollari vlerësoi gjithashtu standardet ligjore shqiptare, duke theksuar se ato janë në harmoni me jurisprudencën europiane dhe ndërkombëtare.
“Standardet ligjore të vendit tonë janë në një balancë të barabartë me jurisprudencën europiane dhe më gjerë. Nuk cedojmë të themi se jemi mbrapa. Marrja e standardeve perëndimore ka qenë një nga tendencat që ka shoqëruar institucionet e së drejtës në Shqipëri”, deklaroi ai.
Në fokus të konferencës ishte edhe raporti mes traditës shqiptare dhe modernitetit juridik. Koçollari tha se aktiviteti trajtoi tema të rëndësishme që lidhen me trashëgiminë juridike shqiptare, por edhe me sfida aktuale si fenomeni i gjakmarrjes.
“Vërtet flasim për modernitet, por duhet të njohim edhe traditën që ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të madh. Gjakmarrja është një rudiment i së kaluarës, por efektet e saj ndihen ende sot”, u shpreh ai.
Sipas Koçollarit, konferenca kishte për qëllim të analizonte deri ku kanë avancuar vendet perëndimore në aspektin ligjor dhe sa reflektohen këto zhvillime në legjislacionin shqiptar, duke e kthyer Universitetin Luarasi në një hapësirë të rëndësishme debati akademik dhe shkencor për të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri.
